Kandidati i pavarur për kryetar të qytetit të Strugës, Mendi Qyra, ka dhënë një mesazh të qartë dhe shpresëdhënës për qytetarët: Ai kërkon mbështetje pa dallime politike dhe synon të menaxhojë Strugën me përkushtim dhe transparencë përcjell Almakos.com dhe Ora24.tv.
“Është një shenjë e mirë përkrahja që po marr. Shpresoj që edhe partitë që nuk kanë kandiduar për këtë garë, të më mbështesin si një kandidat i pavarur, që ka për qëllim të jetë një udhëheqës i denjë për qytetin,” – tha Qyra.
Ai theksoi se nuk ka asnjë marrëveshje me ndonjë parti politike, duke i cilësuar si të pavërteta zërat që e lidhin me ndonjë subjekt politik:
“Të gjitha thashethemet që më etiketojnë si kandidat i ndonjë partie janë të pavërteta. Jam i pavarur dhe i vendosur që të mos merrem me akuza, por me të ardhmen e Strugës.”
Qyra u shpreh i vendosur për të sjellë një frymë të re në politikën lokale, duke e bazuar fushatën e tij në projekte konkrete dhe vizione realiste për zhvillimin e qytetit:
“Unë dua të sjell energji të re, ide të reja dhe projekte që do të zbatohen për të mirën e qytetarëve. Struga ka nevojë për menaxhim të mirë dhe këtë jam i gatshëm ta ofroj.”