Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi mori pjesë mbrëmë në prezantimin publik të Planit Operativ të Punësimit 2025 në Kumanovë, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës dhe Agjencia e Punësimit. Ngjarja tërhoqi vëmendjen e qytetarëve të shumtë, të rinjve, kompanive dhe përfaqësuesve të institucioneve lokale, të cilët treguan interes serioz për mbështetjen shtetërore për punësimin dhe përparimin ekonomik.

“Ne nuk ofrojmë premtime deklarative, por mjete konkrete për ndryshim. Investojmë 40 milionë euro në masa aktive që duhet të ndihmojnë qytetarët të qëndrojnë këtu, të përparojnë dhe të realizojnë potencialin e tyre”, theksoi ministri Durmishi.

Plani për vitin 2025 parashikon investim prej 40 milionë eurosh, që synon më shumë se 10.000 qytetarë, ndërsa pjesëmarrja e deritanishme tregon se masat tashmë po japin efektin e dëshiruar.

në Kumanovë u promovuan edhe të dyja masat aktualisht të hapura :

Masa 5 – Praktika, me shpallje publike që zgjat nga 1 deri më 31 korrik 2025, e dedikuar për persona juridikë dhe fizikë. Përmes kësaj mase, 1.352 të rinj deri në 29 vjeç do të përvetësojnë përvojë praktike, me kompensim mujor prej 12.000 denarë për periudhë prej tre muajsh.

Masa 3.1 – Trajnimi i vendit të punës me punëdhënës të njohur, me shpallje që zgjatë deri më 30 nëntor të vitit 2025, që mundëson lidhjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve me kompanitë që realisht kërkojnë staf.

Përveç kësaj, ministri rikujtoi masat e realizuara tashmë nga plani:
Punësimi i subvencionuar për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, me mbi 2.000 aplikime, gjë që tregon interes dhe besim të madh nga bashkësia e biznesit.
Mbështetja financiare për fillimin e biznesit tuaj është mbyllur tashmë me sukses me mbi 6.000 aplikime, ndërsa në rrjedhë është përzgjedhja e përdoruesve.

“Këto shifra janë dëshmi që qytetarët e vërejnë kur shteti investon seriozisht te ta. Pas çdo aplikimi qëndron një ide dhe shpresë dhe është detyra jonë t ‘i mbështesim ato vendime me mbështetje konkrete”, deklaroi Durmishi.

Ngjarja në Kumanovë është pjesë e fushatës më të gjerë në terren nga Ministria dhe Agjencia e Punësimit në komunat me shkallë të lartë të papunësisë. Qëllimi është i qartë – masat të prekin çdo qytetar, drejtpërdrejt dhe në mënyrë efikase.