Barcelona po punon fort për të blinduar yjet e saj, dhe në krye të listës së drejtorit sportiv Deko është rinovimi i kontratës së Frenkie de Jong. Klubi ka siguruar tashmë emra si Lamine Jamal, Gavi dhe Ronald Araujo, por rasti i holandezit është ndryshe, për shkak të pagës së tij të lartë dhe situatës aktuale.

De Jong ka një pagë bruto prej 22 milionë eurosh për sezonin e ardhshëm, përfshirë bonuset, një shifër që vë në provë financat e klubit. Zgjidhja do të ishte ristrukturimi i pagës, duke i dhënë Barcelonës më shumë frymëmarrje financiare. Megjithatë, pengesa kryesore aktualisht është shkëputja e mesfushorit nga ish-agjenti i tij, Ali Dursun. Deri sa De Jong të emërojë një përfaqësues të ri, bisedimet zyrtare për rinovimin mbeten të bllokuara.

Pavarësisht se më parë ishte afër largimit, De Jong ka shprehur dëshirën për të vazhduar te Barcelona. Forma e tij e mirë në fund të sezonit të kaluar dhe stabiliteti personal pas lindjes së fëmijës së tij kanë ndikuar pozitivisht në këtë vendim.

Por, topi është në fushën e De Jong. Hapi i parë drejt rinovimit varet nga ai: zgjidhja e çështjes së përfaqësimit. Vetëm atëherë Barcelona mund të nisë bisedimet konkrete për të siguruar të ardhmen e një prej lojtarëve kyç në mesfushë.