Dy ish deputetët e PDSH-së Orhan Ibrahimi dhe Bekim Fazliu, për nesër kanë lajmëruar opinionin e gjerë shqiptar për themelimin e një subjekti të shqiptar që do t’i shtohet spektrit të stërngarkuar shqiptar në “državën Severna”, me partiçka nga të gjitha llojet por, çuditërisht të pozicionuara vetëm djathtas.
Me Lëvizjen Arbëria, spektrit politik shqiptar i shtohet edhe një subjekt i djathtë që do të konkuroj në betejën e madhe të demonkraturës maqedone përballë komitëve të VMRO-së dhe titistëve të rinj të SDSM-së si subjekt që do t’i sjell ndryshimin te shqiptarët ashtu siç premtuan edhe vredistët para një viti.
Orhani dhe Fazliu, tashmë dy figura të djegura të parlamentarizmit maqedon nuk kanë çfarë t’i japin më shqiptarëve, pasi kanë ngecur njëherë në kënetën e pushtetit dhe nuk çanë dot përpara me folklorizmin e tyre si e djathta shqiptare me rrugën e Arbrit që ngeci në Ohër me MO, kur bashkë me PPD-në dhe kryengritësit renegatë të 2001, nënshkruan kapitullimin që sanksionoi gjuhën shqipe në kushtetutë si 20% i turpit!
Ahere, këta dy trima, “luftëtarë të së djathtës nacionaliste”, pasi provuan thelat dhe qokat më te mira të pushtetit pretendojnë të rikthehen në fushen e betejës si shpresa dhe mesia i shqiptarëve që do t’i sjellin lirinë dhe barazinë e munguar.
Ndaj, le t’i urojmë sukses edhe këtyre trimave që do të nisin “betejën me mullinjt e erës”, për një “državë” që do t’i garantoj liri dhe barazi shqiptarëve të nëpërkëmbur të kësaj ane të Ilirisë së lashtë.
Medai Shaholli