Eurodeputeti danez: Maqedonia e Veriut duhet t’i dëgjojë kërkesat e Bullgarisë nëse dëshiron vazhdimin e procesit drejt BE-së

Eurodeputeti danez Niels Fuglsang nga grupi i “Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve” pret që Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së t’i lejojnë Bullgarisë të bashkohet me eurozonën më 1 janar, si një shenjë se, siç thotë ai, ka bërë përparim të përgjithshëm dhe ka një ekonomi të fortë. Si kujtesë, Danimarka mori presidencën e rradhës të BE-së javën e kaluar.
Në një intervistë me “BNR”, Fuglsang foli gjithashtu për Raportin e Progresit për Maqedoninë e Veriut për në BE, i cili duhet të jetë në rendin e ditës të seancës së Parlamentit Evropian në Strasburg në ditët në vijim. Sipas eurodeputetit, “Maqedonia e Veriut duhet t’i dëgjojë kërkesat e Bullgarisë nëse dëshiron të vazhdojë në procesin e pranimit në BE”.
“Sigurisht, kemi një propozim francez që pasqyron shqetësimet e Bullgarisë dhe mbart peshë serioze. Dhe ne duhet të vazhdojmë ta dëgjojmë Bullgarinë, përfshirë edhe kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut. Gjëja e fundit që duam të krijojmë janë konflikte të rrezikshme politike në komunitetin tonë. Kjo është arsyeja pse mendoj se Maqedonia e Veriut e di dhe duhet të dëgjojë atë që thotë Bullgaria nëse dëshiron të bashkohet me BE-në”, tha Fuglsang.
Eurodeputeti danez thotë gjithashtu se negociatat me Maqedoninë e Veriut nuk do të përfundojnë gjatë presidencës aktuale të BE-së nga vendi i tij dhe do t’i kalohen presidencës së ardhshme të BE-së, e cila do të drejtohet nga Qiproja.