Eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev sulmin ndaj kryetares së Komunës së Shkupit, Danella Arsovska, e ka parë si një sulm ndaj një shtetase bullgare në Maqedoninë e Veriut. Ai në një postim në rrjetet sociale mbrëmë ka deklaruar se është seriozisht i shqetësuar për atë që i ka ndodhur kryetares së Shkupit, për të cilën tha se është shtetase bullgare. Ai e ka thirrur ambasadën e Bullgarisë në Shkup që t’i sigurojë mbrojtje juridike, konsullore dhe morale, transmeton Portalb.mk.

“Edhe një sulm shqetësues ndaj një shtetasi bullgar në Maqedoninë e Veriut! Edhe një rast tjetër dhune, maltretimi dhe linçimi publik ndaj qytetarëve bullgarë që mbajnë funksione të larta publike dhe kanë marrë shtetësi bullgare mbi bazën e prejardhjes së dëshmuar bullgare – vetëm për faktin se kanë guxuar të deklarohen si bullgarë”, ka shkruar Kovaçev në një postim në Facebook.

Ai vlerësoi se presioni në vend ndaj qytetarëve që deklarohen si bullgarë është aq i madh, saqë, siç thotë ai, ata detyrohen ta fshehin apo ta mohojnë identitetin e tyre bullgar.

“Një rast i ngjashëm ndodhi edhe me ministren e energjetikës Sanja Bozhinovska, disa deputetë nga partia në pushtet VMRO-DPMNE, si dhe persona nga rrethi më i ngushtë familjar i kryeministrit aktual, ish-kryeministrit dhe paraardhësve të tjerë”, shton eurodeputeti.

Pas deklaratës së Kovaçevit, kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, mbrëmë në një intervistë për Infomax e përgënjeshtroi eurodeputetin bullgar, duke theksuar se nuk ka shtetësi bullgare.

“Që nga lindja kam pasaportë çeke, nëna ime është çeke, kam pasaportë maqedonase dhe çeke, nuk kam shtetësi bullgare, por edhe sikur të kisha, a nuk duhet të më mbrojnë? MPB është e obliguar t’i mbrojë të gjithë në territorin e Qytetit të Shkupit, edhe nëse janë shtetas bullgarë – por unë nuk jam shtetase bullgare”, deklaroi Arsovska për Infomax.

Ndryshe, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, u sulmua fizikisht dje (11 korrik) rreth mesditës në Çair të Shkupit, pranë “rrugës së plastikave”. Ndaj sulmit të saj ka reaguar edhe Komiteti i Helsinkit dhe Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.

Arsovska së fundmi ka qenë në “gjueti të ndërtimeve pa leje” në Komunën e Çairit, duke i dokumentuar ato dhe duke i publikuar në profilin e saj në Facebook përmes video-mesazheve. Ajo madje ka kërkuar ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar.

Danella Arsovska ka dorëzuar në prokurori dëshmi dhe dokumente lidhur me ndërtimet pa leje në Çair. Arsovska pretendon se në komunën e Çairit ka 150 ndërtime pa leje. Ajo akuzon ish kryetarin Izet Mexhiti dhe kryetarin aktual Visar Ganiu për ndërtimet pa leje në Çair.