Sllovenia vlerëson se Izraeli po shkel të drejtën ndërkombëtare dhe atë humanitare, dhe nëse Bashkimi Evropian nuk arrin një marrëveshje për masa të përbashkëta, do të shqyrtojë të veprojë në mënyrë të pavarur, deklaroi ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, para mbledhjes së sotme të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel.

“Masakrat në Gaza po vazhdojnë. Që nga mbledhja e fundit kemi qindra viktima të reja civile, përfshirë edhe ata që janë vrarë gjatë shpërndarjes së ndihmës humanitare. Ky vrasje e tmerrshme duhet të ndalet,” tha Fajon, duke theksuar se qëndrimi i Sllovenisë mbetet i qartë: “Bashkimi Evropian duhet të përdorë të gjitha mekanizmat që ka për të ndaluar dhunën ndaj civilëve.”

Ajo theksoi se Izraeli po shkel nenin 2 të Marrëveshjes së Asociimit me BE-në, i cili ka të bëjë me respektimin e të drejtave të njeriut, dhe se sipas Konventës për Gjenocidin, të gjitha shtetet kanë përgjegjësi të barabartë për të parandaluar vrasje të mëtejshme.

Në një deklaratë për RTV SLO, Fajon tha se vendi i saj mbështet të gjitha opsionet që janë aktualisht në tryezë, përfshirë pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit, sanksionet tregtare, embargon ndaj armëve dhe ashpërsimin e sanksioneve ndaj kolonëve izraelitë dhe ministrave që mbështesin dhunën.

“Sigurisht, gjithçka me qëllim që sa më shpejt të arrihet një armëpushim, të ndalet dhuna dhe të hapen negociata serioze për zgjidhjen me dy shtete,” shtoi ajo.

Megjithatë, ministrja nuk është e bindur se mbledhja e sotme do të sjellë vendime konkrete.

“Diskutimi i sotëm nuk do të jetë i lehtë dhe është e mundur që të mos arrijmë asnjë përfundim, gjë që është frika jonë më e madhe. Nëse kjo ndodh, Sllovenia do të shqyrtojë se si të veprojë e vetme,” tha ajo dhe shtoi:

“Siç mund të vlerësoj për momentin, nuk do të ketë vullnet të mjaftueshëm politik (në nivel të BE-së). Megjithatë, ne mbështesim përpjekjet e shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, në lidhje me marrëveshjen e paralajmëruar humanitare, por ende jemi në pritje të detajeve për mënyrën se si do të funksionojë konkretisht. Çdo ditë kemi viktima të reja civile, është e vështirë të jesh optimist.”

Nëse BE-ja nuk arrin konsensus, Sllovenia është e gatshme të veprojë e vetme.

“Jemi tashmë duke shqyrtuar masa të mundshme në nivel kombëtar, përfshirë sanksionet tregtare dhe instrumente të tjera. Të gjitha institucionet kompetente janë duke punuar për këtë. Por, së pari do të presim rezultatin e takimit të sotëm. Për ne është e qartë – BE-ja ka detyrimin të veprojë, dhe Sllovenia do të mbështesë të gjitha masat në dispozicion,” përfundoi Fajon.