Një 21-vjeçar, i identidikuar si Seldi Margjegja, është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet se falsifikonte karta identiteti dhe përfitonte kredi bankare.
Hetimet zbuluan se i riu falsifikonte karta identiteti, duke përdorur fotografinë e tij dhe të dhëna të shtetasve të tjerë, për të aplikuar e përfituar kredi me vlera që varionin nga 1.000 deri në 3.400 euro. Deri më tani janë dokumentuar 9 raste të tilla.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi një automjet, disa karta identiteti të dyshuara si të falsifikuara, dy telefona celularë dhe 20 karta SIM.
“Pas disa javësh hetimesh, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizoi operacionin policor të koduar “Identiteti”, duke vënë në pranga shtetasin S. M., 21 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.