Lideri i Lidhjes Socialdemokrate, Venko Filipçe sot bëri thirrje në konsensus të brendshëm mes të gjithë faktorëve politikë në shtet me qëllim që të definohet mënyra në të cilën do të bashkëpunohet që vendi ta vazhdojë procesin e integrimeve evropiane.

Pas takimit me eurokomisaren për zgjerim, Marta Kos, lideri i LSDM-së opozitare tha se si parti mbeten plotësisht të përkushtuar në procesin e integrimeve evropiane dhe se kjo është mënyra e vetme në të cilën shteti mund t’i përforcojë kapacitetet, qytetarët të kenë pozitë më të mirë ekonomike dhe të ketë reformë të vërtetë në sistemin juridik.

“Më vjen keq që gjatë vitit të kaluar ka pasur ngecje në atë rrugë, mungon strategjia, politika dhe dialogu dhe për fat të keq po hapen çështje të mbyllura. Kam kërkuar mbështetje nga eurokomisarja nga ajo personalisht dhe nga të gjitha institucionet evropiane, për të zhbllokuar rrugën tonë të integrimit evropian dhe dua të them se kjo nuk është koha për llogaritje, as për interesa të ngushta dhe të vogla partiake. Kjo është një kohë në të cilën secila palë duhet të bëjë çmos që të vazhdojë në rrugën e integrimit evropian, të hapë kapitujt e negociatave sepse qytetarët e presin këtë nga ne”, tha Filipçe.

Takimin me eurokomisaren e vlerësoi si konstruktiv dhe si dëshmi për mbështetjen e konstituar dhe të sinqertë të cilën Bashkimi Evropian ia jep shtetit.

“Ajo ishte shumë e sinqertë dhe tha se jep gjithçka nga vetja dhe i shfrytëzonte gjitha instrumentet që të vazhdojë rruga e integrimeve evropiane në vend, megjithatë ka një pjesë të detyrës që ne duhet ta përgatisim në vend sepse ky proces, njëjtë si edhe në vendet e tjera të cilat në periudhën e kaluar u bënë anëtare të BE-së, më së shumti varet nga konsensusi i brendshëm”, tha Filipçe.