Franca i kërkoi Bashkimit Evropian të ushtrojë presion mbi Izraelin që të pranojë një zgjidhje me dy shtete me palestinezët, në një tjetër hap diplomatik pas zotimit të saj për ta njohur shtetin palestinez.

Ministri i Jashtëm francez tha para gazetarëve në selinë e Kombeve të Bashkuara se tani është momenti për një zgjidhje politike të konfliktit izraelito-palestinez, fuqitë botërore duhet t’i mbështesin fjalët me veprime konkrete.

Kryeministri izraelit, e ka refuzuar zgjidhjen me dy shtete si për arsye nacionaliste ashtu edhe për çështje sigurie. Franca është tani fuqia më e madhe perëndimore dhe i vetmi vend anëtar i Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara që e njeh shtetin e Palestinës, një hap që mund të hapë rrugën për vendime të ngjashme edhe nga shtete të tjera.

“Është një iluzion të mendosh se mund të arrish një armëpushim të qëndrueshëm pa pasur një skicë të asaj që do të ndodhë në Gaza pas luftës, dhe pa pasur një horizont politik që përfshin sigurinë izraelite dhe të drejtën e popullit palestinez për të pasur një shtet”, tha Jean Noël Barrot, Ministër i Jashtëm i Francës./