Pas disa ditësh qëndrimi në Klinikën Universitare për Kirurgji Digjestive, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, është liruar nga spitali dhe ka bërë të ditur se gjendja e tij shëndetësore është tashmë stabile.

“Falë Zotit, ndjehem mirë dhe pas kryerjes së të gjitha kontrolleve të nevojshme, jam liruar nga spitali,” shkruan Gashi në një njoftim publik, ku ka shprehur mirënjohje të thellë për përkujdesjen e marrë gjatë qëndrimit në spital.

Ai ka falënderuar posaçërisht drejtorin e klinikës, prof. dr. Ognen Kostovski, si dhe të gjithë stafin mjekësor që, siç thekson ai, kanë qenë një mbështetje e rëndësishme në procesin e tij të rikuperimit. “Kujdesi juaj ka qenë një forcë shtesë për rikuperimin tim,” ka shtuar Gashi.

Kryeparlamentari gjithashtu ka shprehur falënderime për të gjithë qytetarët që i kanë dërguar mesazhe përkrahjeje dhe mbështetjeje gjatë kësaj periudhe.

Ai ka njoftuar se tashmë është rikthyer në kryerjen e detyrave publike, i motivuar dhe i përkushtuar për të vazhduar punën me përgjegjësi dhe përkushtim.