Populli është i përçarë për shkak të diskursit të papërgjegjshëm politik, që ngjall emocione të larta tek qytetarët dhe pamundëson racionalitetin. Shoqëria jonë e thellësisht e polarizuar dhe e politizuar duhet ta përjetojë katarsisin e saj, që të mund të ecim përpara të çliruar nga “fantazmat e vjetra të kredencës”. Është momenti i fundit të ndalim shkatërrimin e gjithçkaje që kemi ndërtuar dhe, përkundrazi, është koha të ndërtojmë ura mirëkuptimi dhe bashkëjetese – ishte mesazhi i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.

“Nuk e kam marrë këtë pozitë për të bërë mrekulli, por me përkushtim të thellë për të vendosur një kulturë të re pune, të bazuar në transparencë, etikë, efikasitet dhe dinjitet institucional”, thotë Afrim Gashi në intervistën për javoren “Fokus”, kryetar i Kuvendit që vjen nga koalicioni VLEN.

“Që nga fillimi i mandatit u ndërmorën përpjekje të papara nga rrethe të ndryshme interesash për të imponuar një narrativ negativ, si për mua si kryetar i ri i Kuvendit, ashtu edhe për udhëheqjen e re të shtetit. Pa bazë ligjore, pa fakte, me një qëllim të vetëm – të dëmtohet integriteti institucional dhe personal.

U përdorën temat etnike, u ndërhy në jetën private, u fabrikuan konstruksione për efekte mediatike. Por të gjitha ato skenarë dështuan. Jam prej kohësh në politikë dhe e di si të qëndroj stoik përballë furtunave të porositura. Asnjë nga këto sulme nuk më lëkundi nga ndjekja e vizionit që kam – në mënyrë këmbëngulëse dhe të vendosur”, thekson Gashi.

Ai thekson se pushteti aktual ka një shumicë parlamentare stabile. Edhe pse nuk e kontrollojnë shumicën e dyfishtë sipas mekanizmit të Badenterit, ai shton se së fundmi janë miratuar disa akte që kërkonin Badenter, gjë që, sipas tij, dëshmon qartë se sistemi funksionon dhe se bashkëpunimi është i mundur.

“Kjo është një nga përparësitë e demokracisë – ajo kërkon dialog dhe konsensus më të gjerë, si me opozitën ashtu edhe me deputetë jashtë shumicës, për çështje të caktuara. Besoj se pikërisht kjo e bën procesin e vendimmarrjes më gjithëpërfshirës, më të përgjegjshëm dhe më demokratik”, deklaroi Gashi.

Kryetari i Kuvendit tha se zgjedhjet lokale do të shpallen brenda afateve ligjore, respektivisht në fund të korrikut ose në fillim të gushtit. Ai pret që periudha parazgjedhore të jetë fer dhe dinjitoze, pa abuzime me resurset publike, pa presione partiake dhe pa tensione fyese për qytetarët.

“Edhe pse mundohem të qëndroj larg fushatës për shkak të rolit tim institucional, e di që VLEN është tërësisht i fokusuar dhe i përkushtuar në organizimin serioz dhe të strukturuar të fushatës. Shtabi i përbashkët zgjedhor është formuar tashmë, po bëhen analizat e nevojshme për programet dhe kandidaturat, dhe sinjalet që vijnë nga terreni janë premtuese”, thotë Gashi.

Ai beson në një rezultat pozitiv për VLEN në këto zgjedhje. Por, kur u pyet nëse një dështim eventual zgjedhor i VLEN do të hapte nevojën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, Gashi tha se zgjedhjet lokale dhe rezultati i tyre nuk duhet të përdoren menjëherë si arsye për “krijimin e një narrative për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare”.

“Këto janë dy procese të ndryshme, me qëllime dhe programe të ndryshme. Qeveria është stabile, dhe institucionet duhet të funksionojnë me vazhdimësi, pa u diktuar nga rezultatet në nivel lokal. Rezultati i zgjedhjeve lokale i përket interesave lokale të qytetarëve dhe varet nga cilësia e kandidaturave dhe e programeve”, tha Gashi.

Ai gjithashtu kritikoi, siç tha, narrativat përçarëse të BDI-së, e cila sipas tij ka qenë gjithmonë një parti që ka nxitur ndarje – si ndëretnike, ashtu edhe mes vetë shqiptarëve. Gashi mendon se BDI po përpiqet të mbulojë humbjen e pushtetit përmes “akuzave të pabaza, skenarëve dramatikë të fabrikuar, përhapjes së frikës dhe patriotizmit të rremë”.

“Mendoj se ka ardhur koha të ndalohen përçarjet mbi çfarëdo baze dhe të hapet tema e madhe e bashkimit të shtetit rreth temave kyçe politike. Të nisë më në fund procesi i pajtimit, i ribashkimit të shoqërisë – në nivel ndëretnik, brenda-etnik, në nivel politik, majtas, djathtas, qendër e të tjera… Populli është i përçarë për shkak të diskursit politik të papërgjegjshëm, që ngjall emocione të larta tek qytetarët dhe pengon racionalitetin.

Shoqëria jonë e thellësisht e politizuar dhe e polarizuar duhet të përjetojë katarsisin e saj që të mund të ecim përpara të çliruar nga “fantazmat e vjetra të kredencës”. Këto janë temat që e preokupojnë habitusin tim politik dhe për të cilat do të flas me zë të lartë dhe do të punoj fort për realizimin e tyre në periudhën që vjen. Është koha e fundit të ndalojmë shkatërrimin e gjithçkaje që kemi ndërtuar, dhe përkundrazi – të ndërtojmë ura të mirëkuptimit dhe të bashkëjetesës”, përfundoi Gashi.