Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi sot një takim të veçantë me një grup nxënësish të shkollës verore të organizuar nga Myftinia e Shkupit. Në një atmosferë të mbushur me pozitivitet dhe energji rinore, Gashi theksoi rëndësinë e edukimit dhe njohjes me institucionet shtetërore që në moshë të re.

“Ky ishte një takim frymëzues dhe një mundësi e vlefshme për t’i afruar fëmijët me funksionin e Kuvendit dhe rolin e deputetëve. Besoj se edukimi është çelësi për ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe të drejtë”, deklaroi Gashi pas vizitës.

Ai shtoi se fëmijët nuk janë vetëm motiv për të punuar për një të ardhme më të mirë, por edhe një forcë aktive që tashmë po e formëson atë.

Vizita ishte pjesë e një programi edukativ dhe ndërgjegjësues për rëndësinë e institucioneve demokratike dhe rolit të tyre në shoqëri.