Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u takua sot me ministrin e Punëve të Jashtme, Bashkëpunimit Afrikan dhe Emigrantëve Marokenë të Mbretërisë së Marokut, SH.T. Naser Burita, njpoftojnë nga shtypi i Kuvendit.

“Takimi ishte vazhdim i dialogut miqësor midis dy vendeve, me fokus në avancimin e bashkëpunimit të përgjithshëm institucional dhe dypalësh. Kryetari Gashi riafirmoi interesin e Maqedonisë së Veriut për heqjen e vizave me Marokun, si hap drejt lehtësimit të komunikimit, shkëmbimit ekonomik dhe turizmit. Në veçanti, i theksoi mundësitë për bashkëpunim në fushat e ekonomisë, bujqësisë, turizmit, energjetikës, arsimit dhe shkëmbimit të të rinjve.

Ministri Burita, nga ana e tij, e theksoi gatishmërinë e Mbretërisë së Marokut për t’i avancuar marrëdhëniet, me fokus të veçantë në bashkëpunimin ekonomik, turizmin dhe diplomacinë parlamentare.

Të pranishmit e theksuan angazhimin për themelimin e grupit të bashkëpunimit parlamentar midis Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Afrikës së Veriut, si platformë e përhershme parlamentare për dialog dhe iniciativa të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e Kuvendit,

Bashkëbiseduesit, shtojnë nga atje, e vlerësuan takimin si hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe hapjen e kapitullit të ri në miqësinë midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Marokut.