“Gazetarët në Gaza, të bllokuar dhe të uritur”: BBC, AP, AFP dhe Reuters i bëjnë thirrje urgjente Izraelit të hapë kufirin

BBC News, në bashkëpunim me tre nga agjencitë më të mëdha ndërkombëtare të lajmeve – AP, AFP dhe Reuters – ka lëshuar një deklaratë të përbashkët urgjente, duke i kërkuar Izraelit që të lejojë hyrjen dhe daljen e gazetarëve në dhe nga Gaza.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për gazetarët tanë në Gaza, të cilët gjithnjë e më shumë po përballen me pamundësinë për të ushqyer veten dhe familjet e tyre. Prej muajsh, këta gazetarë të pavarur kanë qenë sytë dhe veshët e botës mbi tokën e Gazës. Tani, ata po përballen me të njëjtat kushte të tmerrshme si njerëzit për të cilët raportojnë. Gazetarët janë mësuar të punojnë në kushte ekstreme dhe të rrezikshme në zonat e luftës. Por jemi thellësisht të alarmuar që uria është bërë tashmë një kërcënim real për ta. I bëjmë edhe një herë thirrje autoriteteve izraelite që të lejojnë lëvizjen e lirë të gazetarëve. Është jetike që ushqimi dhe ndihmat e nevojshme të arrijnë tek popullsia civile,” thuhet ne deklaratë, raporton BBC.
Kjo deklaratë e BBC-së dhe agjencive të tjera vjen në të njëjtën kohë kur më shumë se 100 organizata humanitare kanë lëshuar një deklaratë të ngjashme këtë javë, duke paralajmëruar për urinë masive në të gjithë Rripin e Gazës.
Sipas autoriteteve izraelite, 150 kamionë me ndihma janë shpërndarë të mërkurën brenda Gazës nga OKB-ja dhe agjencitë përkatëse. Megjithatë, thuhet se rreth 800 kamionë të tjerë me ushqim janë ende në pritje për t’u marrë, ndërsa agjencitë akuzojnë qeverinë izraelite për pengimin e shpërndarjes së ndihmave.