Gjashtë të vdekur dhe mbi 50 të plagosur nga sulmet ruse në Kiev
Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe mbi 50 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ruse me dronë dhe raketa në Ukrainë në orët e hershme të mëngjesit, kanë thënë zyrtarët ukrainas.

Në mesin e të vrarëve është edhe një gjashtëvjeçar, ndërsa tri viktima tjera janë konfirmuar në hapësirat e një blloku banesash që është rrëzuar si pasojë e sulmeve.

Tymur Tkachenko, shef i administratës ushtarake të Kievit, ka thënë se numri i viktimave mund të rritet, pasi dëme janë shkaktuar në dhjetëra lokacione në kryeqytetin ukrainas.

Sulmet ruse kanë vazhduar pavarësisht kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump që të vendosë sanksione më të ashpra ndaj Moskës, nëse lideri rus, Vladimir Putin nuk pajtohet për armëpushim deri më 8 gusht.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko ka thënë përmes një postimi në Telegram se dritaret e një spitali për fëmijë në rajonin Shefçenski janë thyer tërësisht.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha ka thënë përmes një postimi në X – dikur Twitter – se Kievi është dëshmitar i një “mëngjesi të tmerrshëm” dhe që ende ka njerëz nën rrënoja.

Sipas tij, presidenti Trump është treguar “shumë i durueshëm” me Putinin, dhe që tani është koha për “presion maksimal ndaj Moskës” përmes sanksioneve.

Më herët gjatë korrikut, Trump pati vendosur një ultimatum 50-ditor për Kremlinin që të arrijë një marrëveshje me Kievin, ose në të kundërtën do të përballet me pasoja ekonomike.

Të hënën, Trump e ka zvogëluar ultimatumin në “10 deri në 12 ditë”, duke shprehur pakënaqësinë e tij për veprimet e Putinit në Ukrainë, pas më shumë se tre vjetëve prej kur Moska e ka nisur luftën në këtë shtet.

Trump nuk ka thënë se presidenti rus po e gënjen, por që ka kundërthënie në mes të retorikës së Putinit në bisedat e tyre telefonike, dhe më pas në nisjen e raketave në qytetet ukrainase.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL