Gjermania dëshiron raketahedhës amerikanë që mund të godasin objektiva 2,000 kilometra larg – përfshirë Rusinë

Gjermania dëshiron të blejë raketahedhës amerikanë me rreze të gjatë veprimi Typhoon nga SHBA që mund të godasin objektiva 2,000 kilometra larg – përfshirë Rusinë.
“Gjermania mund të rrisë ndjeshëm kështu aftësinë e saj mbrojtëse, gjithashtu të rrisë ndjeshëm aftësinë e saj parandaluese, por edhe atë të Evropës”, tha ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius pas një takimi me kolegun e tij Pete Hegseth në Uashington, shkruajnë mediat e huaja.
Një vendim për prokurimin e armëve nuk është marrë ende, por Pistorius ka shprehur zyrtarisht interesin e tij.
Megjithatë, ai nuk arriti një marrëveshje përfundimtare me Hegseth për dërgimin e sistemeve të mëtejshme të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, të cilat do të financohen nga Gjermania në shumën prej rreth dy miliardë eurosh.
Politikani i SPD theksoi se detajet e fundit teknike, logjistike dhe financiare ende duhen sqaruar, por se ato “duken të jenë të zgjidhshme për të dy ne”.
Kjo ishte vizita e tij e parë në Uashington që kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Sekretari i tij i Mbrojtjes, Hegseth, morën detyrën në janar.
Pas takimit të tij në Pentagon, Pistorius njoftoi si “lajm të sotëm” se Gjermania kishte filluar procesin për të siguruar armën me rreze të mesme veprimi Typhon, e cila mund të përdoret për të qëlluar raketa me rreze të gjatë veprimi si Tomahawk.
Bundeswehr-i ende nuk ka armë të tilla me një rreze veprimi prej 2,000 kilometrash.
Sistemet përkatëse evropiane janë ende në zhvillim e sipër dhe, sipas Pistorius, nuk do të jenë të disponueshme për të paktën shtatë deri në dhjetë vjet.