Gjykata Kushtetuese w Kosovës përballë Ngërçit Politik: Midis Interpretimit Juridik dhe Presionit Institucional

Shkruan: Analisti Qani shabani
“Në demokraci, mosveprimi politik është po aq i rrezikshëm sa edhe veprimi i gabuar; përgjegjësia për të ruajtur funksionimin e institucioneve i takon vetëm aktorëve politikë.”
Në një demokraci parlamentare, Kuvendi është institucioni kyç që përfaqëson legjitimitetin popullor dhe garanton funksionimin e shtetit. Kur ai ndalet, sistemi nuk është më në gjendje të marrë frymë. Kosova sot është në këtë pikë të rrezikshme: me një Kuvend të bllokuar përmes një mase shtrënguese të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, ndërkohë që afati kritik – 8 gusht 2025 – po afrohet. Kjo datë mund të shënojë rikthimin e normalitetit institucional, ose rrëshqitjen drejt një krize më të thellë.
Në vend që të zgjidhet përmes kompromisit politik dhe mekanizmave parlamentarë, ngërçi ka përfunduar në derën e Gjykatës Kushtetuese. Fillimisht, ajo përcaktoi një afat 30-ditor për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryesisë. Por vendimi kishte dobësi të theksuara: mungesë sanksioni në rast të moszbatimit, që bëri që pas datës 26 korrik institucionet të mbeteshin të paralizuara, ndërsa klasa politike zgjati kalkulimet.
Në vend që të kërkonte zbatim të vendimit të mëparshëm, Gjykata ndërmori një hap të ri dhe të diskutueshëm: shtoi një muaj shtesë me “masë të përkohshme” që bllokon funksionimin e Kuvendit deri më 8 gusht 2025. Kjo masë shtrënguese, megjithëse e paraqitur si e përkohshme, është e dyshimtë në aspektin kushtetues dhe ligjor. Kushtetuta nuk i jep Gjykatës kompetencë për të pezulluar funksionin e një pushteti të tërë. Përkundrazi, parimi i ndarjes së pushteteve e përjashton një ndërhyrje të tillë.
Ky ndryshim – nga interpretimi në ndërhyrje aktive – bie në kundërshtim edhe me frymën e vendimit të parë dhe ngre pyetje serioze: A mund të vendosë një gjykatë kufizim funksional ndaj Kuvendit, në mungesë të përgjegjësisë politike? Dhe nëse po, çfarë garancie kemi që kjo logjikë të mos shtrihet nesër mbi qeverinë apo vetë Presidenten?
Ndërkohë, partitë politike duken të paafta për të arritur një marrëveshje. Me 8 gushtin si afat përfundimtar, mungesa e një zgjidhjeje do të nënkuptojë një krizë të plotë funksionale. Në atë rast, Presidentja e Republikës ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin kushtetues për të shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme, si rrugëdalje e vetme për rivendosjen e legjitimitetit institucional.
Zgjidhja e kësaj krize nuk është juridike – është politike. Gjykata nuk mund dhe nuk duhet të mbajë peng zhvillimin institucional për shkak të mungesës së marrëveshjes politike. Masat shtrënguese kushtetuese nuk janë zëvendësim për vullnetin politik – ato janë sinjal alarmi, jo zgjidhje.
Demokracia nuk mbahet në fuqi përmes pezullimeve, por përmes veprimit. Dhe kjo krizë është provë e madhe për të gjithë – veçanërisht për ata që janë zgjedhur për të zgjidhur, jo për të zvarritur. Veprimi është i vonuar. Por çdo vonesë e mëtejshme është barrë që qytetarët nuk duhet ta paguajnë.