Te Real Madridi vazhdojnë të merren vendime të rëndësishme për formimin e skuadrës në sezonin e ri, pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube.

Një nga emrat që ka marrë vëmendje të madhe është Gonzalo Garcia, i cili shkëlqeu në turne dhe tregoi se mund të jetë një pjesë kyçe e projektit të trajnerit Xabi Alonso.

Përkundër interesimit nga jashtë, Gonzalo ka vendosur të qëndrojë në Madrid dhe të luftojë për vendin e tij në skuadër, duke refuzuar oferta konkrete nga klube të ndryshme evropiane.

Sipas AS, lojtari ka hedhur poshtë interesimin e Romës, Chelseat, Leeds Unitedit, Aston Villas, Bayer Leverkusenit dhe së fundmi edhe të Real Oviedos.

Garcia i ka kërkuar agjentit të nisë negociatat për rinovimin e kontratës, ndonëse aktualisht ka një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh që e bën tërheqës për shumë ekipe.

Qëndrimi i tij shihet si shenjë besimi në projektin sportiv të Real Madridit, dhe dëshirës për t’u zhvilluar si pjesë e klubit që e ka formuar.

Në moshën e tij të re, Gonzalo synon të vazhdojë ngritjen brenda “Los Blancos”, duke u pozicionuar si një nga talentet më premtues të futbollit spanjoll.