Greqia do të ndalojë shqyrtimin e kërkesave për azil të emigrantëve që vijnë nga Afrika e Veriut, ka deklaruar Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një seancë parlamentare , në një moment rritjeje të fluksit migrator.

Deklarata e tij vjen vetëm një ditë pasi komisionerit të emigracionit të BE-së dhe ministrave nga Italia, Malta dhe Greqia iu mohua hyrja në pjesën lindore të Libisë së ndarë dhe u shpallën persona non grata nga qeveria me seli në Bengazi përpara një takimi të planifikuar për emigracionin.

“Greqia do të pezullojë shqyrtimin e kërkesave për azil, fillimisht për tre muaj, për ata që mbërrijnë në Greqi nga Afrika e Veriut me anë të detit”.

Ardhjet nga deti të emigrantëve që udhëtojnë nga Libia verilindore drejt ishujve jugorë të Kretës dhe Gavdosit të Greqisë janë rritur në më shumë se 7,300 këtë vit, sipas vlerësimeve të qeverisë greke dhe agjencive të ndihmës, kur vetëm gjatë gjithë vitit të kaluar ishin gjithësej rreth 5,000.

“Emigrantët që hyjnë ilegalisht në vend do të arrestohen dhe ndalohen. Këto anije duhet të kthehen aty ku janë nisur para se të hyjnë në ujërat territoriale greke dhe çdo ndërhyrje, çdo shpëtim i tyre duhet të transformohet në thelb në një operacion kërkim-shpëtimi”.

Mbi 2,000 migrantë kanë zbarkuar në Kretë ditët e fundit. Ata janë kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, duke përfshirë shtetas nga Sudani, Egjipti dhe Bangladeshi.

Një grup prej rreth 520 personash u shpëtuan orët e fundit pranë Kretës dhe do çohen në portin e Lavrio-s në Athinë.

Qeveria gjithashtu planifikon të krijojë një strukturë të re pritjeje të mbyllur në Kretë për të ndihmuar në menaxhimin e fluksit në nivel lokal, me mundësinë e krijimit të një qendre të dytë nëse kjo do të jetë e nevojshme.