Në 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, kryetari i Alternativës dhe njëri nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka kujtuar masakrën më të rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, duke bërë thirrje për reflektim mbi gjenocidet e së kaluarës dhe ato që po ndodhin ende sot.
“Sot është dita kur ne të gjithë kujtojmë gjenocidin në Srebrenicë”, shkroi Ibrahimi në një postim në rrjetet sociale.
“Sivjet bëhen 30 vjet nga ky gjenocid që la të vrarë 8.372 njerëz, ndërsa edhe sot qindra viktima mbeten ende të shpërndara nëpër varre masive, pa një varr dinjitoz në Potoçari”.
Sipas tij, Srebrenica nuk duhet përshkruar me foljen “ndodhi”, pasi kjo do të nënkuptonte një akt spontan.
“Ky gjenocid nuk ndodhi vetvetiu. Ai u planifikua dhe u zbatua me qëllim nga regjimi i Millosheviqit, me karaxhiqët dhe mlladiqët e tij, për të shfarosur një popull të tërë vetëm pse ishte ‘tjetri’ në vendin ‘e gabuar’ – dhe gjithë kjo ndodhi para syve të botës së ashtuquajtur të qytetëruar perëndimore”.
Duke kujtuar tragjeditë shqiptare, Ibrahimi theksoi se edhe shqiptarët kanë përjetuar “srebrenicat” e tyre në Reçak, Prekaz, Poklek, Bllacë e Çamëri. Ai paralajmëron se gjenocidi nuk është kapitull i mbyllur i historisë: “Një gjenocid i përmasave të holokaustit po ndodh çdo ditë në Gaza – dhe bota sërish është bërë indiferente, njësoj si në vitin 1995”.
Postimin e përmbylli me një lutje për viktimat: “Zoti i pastë mëshiruar shpirtrat e tyre! Një Fatiha!”