Sektori i ndërtimit në Maqedoninë e Veriut ka realizuar mbi 992 milionë euro të ardhura gjatë vitit 2024, duke u renditur mes sektorëve më fitimprurës në vend. Vetëm ndërtimi i banesave dhe objekteve jo-banimi ka gjeneruar mbi 61 miliardë denarë, ose afro 1 miliardë euro, tregon një analizë e publikuar nga portali Pari, përcjell PressOnline.al

Dhjetë kompanitë më të mëdha në këtë sektor kanë gjeneruar 329 milionë euro, që përbën një të tretën e qarkullimit total. Lider në listë është kompania Krmzov-MR DOOEL nga Strumica, me mbi 62 milionë euro, pavarësisht se pronari i saj, biznesmeni Risto Krmzov, aktualisht ndodhet në paraburgim për mashtrime të rënda financiare me pasoja për shtetin në vlerë prej 94 milionë euro.

Në vendin e dytë renditet kompania Turmak nga Turqia, e lidhur me grupin Cevahir, me një rritje eksplozive prej 336%, duke arritur në 61.1 milionë euro. Pas saj qëndron gjiganti turk Limak, me të ardhura prej 36.2 milionë euro, i njohur për projektin “Diamond of Skopje”.

Analiza tregon se ndërtimi nuk është vetëm privilegj i Shkupit. Kompani nga Bitola, Tetova dhe Strumica – si Stenton Gradba, Zhikol, Rapid Build dhe AK Invest – janë pjesë e listës elitare me të ardhura që variojnë nga 20 deri në 28 milionë euro.

Megjithë suksesin ekonomik, ekspertët theksojnë se ndërtimi masiv po zhvillohet shpesh në dëm të mjedisit dhe cilësisë së jetës. “Betoni po e zë vendin e gjelbërimit, ndërsa objektet për banim gjithnjë e më pak kanë dimension human,” thuhet në raport.