Sardenja po përjeton një tjetër ditë të vështirë, teksa zjarret vijojnë të përhapen në disa zona të ishullit, me situatën më alarmante të regjistruar pranë plazhit Molentis në Villasimius, ku flakët janë afruar rrezikshëm pranë bregdetit.

Sipas mediave italiane, rrugët e evakuimit janë thuajse të bllokuara, duke vënë në rrezik jetën e qindra pushuesve që ndodheshin në zonë.

Në vendngjarje u ndërhy menjëherë nga Roja Bregdetare e Cagliarit, e cila së bashku me njësitë detare speciale, shpëtoi mbi 140 persona nga deti.

Më konkretisht, 102 pushues u evakuuan me patrullën bregdetare Cp320, ndërsa 39 të tjerë nga mjetet e policisë financiare.

Operacionet e shpëtimit u vështirësuan ndjeshëm për shkak të erërave të fuqishme, që kanë përfshirë jugun e ishullit dhe po përhapin flakët me shpejtësi.

Në përpjekje për të shpëtuar, shumë qytetarë nxituan drejt makinave të parkuara afër plazhit, por mbi 200 automjete mbetën të rrezikuara, dhe disa prej tyre u përfshinë nga zjarri.

Autoritetet lokale janë në terren dhe po punojnë intensivisht për kontrollin e vatrave dhe evakuimin e plotë të zonës, ndërsa situata mbetet e paqëndrueshme për shkak të kushteve atmosferike sfiduese.