Njëri nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e Kroacisë, Ivan Rakitic, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij të shkëlqyer si lojtar profesionist në moshën 38-vjeçare.

Lamtumira emocionale u bë publike përmes një letre prekëse në rrjetet sociale, ndërsa klubi i tij i fundit, Hajduk Split, konfirmoi zyrtarisht tërheqjen.

Rakitić, i cili së fundmi luajti për Hajdukun në SuperSport HNL, tashmë do të vazhdojë të jetë pjesë e botës së futbollit në një rol tjetër, duke iu bashkuar stafit drejtues të drejtorit sportiv Goran Vučević.

Në një letër të gjatë dhe të sinqertë, Rakitić përshkroi rrugëtimin e tij nga fusha e qytetit të lindjes në Möhlin të Zvicrës, deri te skenat më të mëdha të futbollit botëror. Ai rikujtoi me mirënjohje periudhat te Basel, Schalke 04, Sevilla, Barcelona, Al Shabab dhe më në fund rikthimin te Hajduk – të cilin e cilësoi si kthim te rrënjët dhe realizim i një ëndrre fëmijërie.

“Ti, futboll, më ke dhënë më shumë sesa kam ëndërruar ndonjëherë… tani është koha për të thënë lamtumirë. Sepse, edhe pse po të lë, e di që ti nuk do të më lësh kurrë”, përfundon Rakitić në letrën e tij.

View this post on Instagram

A post shared by Ivan Rakitic (@ivanrakitic)

Fund karriere si kampion i respektuar

Tërheqja e Rakitić erdhi pas përfundimit të kontratës me Hajdukun në fillim të korrikut. Ai pati mundësinë ta zgjaste për një sezon tjetër, por vendosi t’i japë fund një rruge të jashtëzakonshme. Gjatë sezonit të fundit, ai ishte një nga mesfushorët më të mirë të ligës kroate, duke regjistruar 39 paraqitje, 2 gola dhe 5 asistime.

Një trashëgimi e paharruar në futbollin evropian dhe botëror

Ivan Rakitic ka fituar gjithçka që një futbollist mund të ëndërrojë: Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës (2 herë), Superkupën e UEFA-s, Kupën e Botës për Klube, La Ligën (4 herë), Kupën e Mbretit (4 herë), Superkupën Spanjolle (2 herë), Kupën e Gjermanisë, Kupën e Zvicrës, si dhe një medalje të argjendtë në Kupën e Botës 2018 me Kroacinë.

Ai ka qenë pjesë kyçe e kombëtares kroate për më shumë se një dekadë, me 106 ndeshje dhe gola të rëndësishëm, përfshirë atë ndaj Argjentinës në Botërorin e Rusisë.

Megjithë mundësinë për të përfaqësuar Zvicrën, Rakitić zgjodhi Kroacinë.