Në përvjetorin e shtatë të ndarjes nga jeta të Adem Demaçit, një prej figurave më të mëdha të rezistencës shqiptare, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Ekologjisë dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ka kujtuar me ndjenjë dhe respekt të thellë jetën dhe veprën e bacit Adem.
Përmes një homazhi emocional, Mexhiti e përshkruan Demaçin si simbolin e pathyeshëm të lirisë, zërin që nuk u lodh kurrë në kërkim të së drejtës së shqiptarëve dhe shikimin që nuk u mjegullua as nga burgjet e as nga tanket.
“Jetoi mes hekurave, por brenda tij kishte një liri që nuk thyhej,” shkruan Mexhiti, duke e cilësuar Demaçin si “busullën e përjetshme të nervit kombëtarist” dhe shembullin më të lartë të besnikërisë ndaj popullit dhe atdheut.
Mexhiti thekson se baci Adem nuk kërkoi lavdi, pushtet apo pasuri, por zgjodhi vetëdijshëm shtegun e nderës dhe sakrificës, duke u bërë udhë për brezat që nuk pranojnë robërinë.
“Nuk u bë udhëheqës, u bë udhë”, thekson ai, duke nënvizuar se rruga e tij është rruga jonë.
Adem Demaçi, i njohur si “Mandela i Kosovës”, mbetet një prej figurave më të ndritura të historisë kombëtare shqiptare, dhe kujtimi i tij vijon të frymëzojë idealistët dhe të gjithë ata që besojnë në liri, drejtësi dhe dinjitet kombëtar.