Izraeli ka thënë se vendet e huaja mund të hedhin ndihma në Gaza që nga sot.

Një zyrtar i lartë i IDF tha: “Duke filluar nga sot, Izraeli do të lejojë vendet e huaja të dërgojnë ndihma me parashutë në Gaza.”

“Duke filluar nga kjo pasdite, organizata WCK filloi të riaktivizojë kuzhinat e saj.”

Organizata e ndihmës humanitare World Central Kitchen ndërpreu operacionin e saj në Gaza në nëntor, pasi një numër punonjësish të saj u vranë në një sulm ajror izraelit vitin e kaluar, shkruan skynews.

Punonjësit e ndihmës në Gaza – të cilët ndihmojnë në sigurimin e ushqimit, ilaçeve dhe strehimit për miliona të zhvendosur atje – janë prekur nga konflikti i vazhdueshëm midis Izraelit dhe Hamasit.

Fondacioni Humanitar i Gazës – një organizatë e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-të – ka shpërndarë pako ushqimore në Gaza që nga fundi i majit, pasi Izraeli lehtësoi bllokadën 11-javore të ndihmës në territor.

Më shumë se 1,000 njerëz thuhet se janë vrarë gjatë përpjekjes për të marrë ndihmë ushqimore që atëherë, sipas OKB-së, me territorin që përballet me një krizë urie.

Ministria e shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, tha se nëntë persona kanë vdekur nga kequshqyerja në 24 orët e fundit.

Ministria shtoi se gjithsej 122 persona, përfshirë 83 fëmijë, kanë vdekur për shkak të mungesës së ushqimit që nga fillimi i luftës.

Në dy javët e para të korrikut, agjencia e OKB-së për fëmijë, UNICEF, trajtoi 5,000 fëmijë që përballeshin me kequshqyerje akute në enklavë.

Ndërsa OKB së fundmi paralajmëroi se enklavës po i mbaronin ushqimet terapeutike të specializuara për të trajtuar fëmijët e kequshqyer.

Ndryshe, vitin e kaluar, ndihma u hodh nga ajri në Gaza nga aeroplanë ushtarakë nga vende të ndryshme, përfshirë Jordaninë, SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet Forcave Ajrore Mbretërore, por organizatat humanitare paralajmëruan se kjo nuk ishte e mjaftueshme.

Është gjithashtu një mënyrë potencialisht e rrezikshme për të shpërndarë furnizime, dhe në mars të vitit 2024, pesë persona u vranë kur një parashutë ndihme dështoi dhe një pako ra mbi ta.

Ka pasur gjithashtu raportime për njerëz që janë mbytur ndërsa përpiqeshin të arrinin furnizimet që kishin rënë në det.