Këto janë momentet e shpërthimit të Presidencës dhe Ministrisë së Mbrojtjes në Damask të Sirisë nga ushtria izraelite.

Kjo video e shpërthimit nga sulmet ajrore u publikua nga ministri i Mbrojtjes izraelit, Katz, i cili shkruan në postimin në rrjetet sociale se goditjet më të dhimbshme filluan ndaj Sirisë, teksa gazetarja po jepte në studio lajmet.

Izraeli nisi sulme të fuqishme ajrore në zemër të Damaskut të mërkurën, duke u zotuar se do të shkatërronte forcat qeveritare siriane që sulmonin sektin Druze në Sirinë jugore dhe kërkoi që ato të tërhiqeshin.

Që nga nisja e këtij konflikti me sektin Druze dhe synitëve të mbështetur nga forcat qeveritare siriane, ka pasur 250 viktima në jugperëndim të vendit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, iu drejtua komunitetit Druze të mërkurën, duke i nxitur ata të mos kalonin në Siri, duke thënë se situata atje ishte “shumë e rëndë”.

“IDF po vepron, Forcat Ajrore po veprojnë, forca të tjera po veprojnë. Ne po veprojmë për të shpëtuar vëllezërit tanë druzë dhe për të eliminuar bandat e regjimit”, shprehet Netanyahu.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, shprehu shqetësimin për sulmet, teksa konfirmoi se po kryhen bisedime me të dyja palët.

Ministria e Jashtme turke tha se sulmet ajrore izraelite në Damask synojnë sabotimin e përpjekjeve të Sirisë për të vendosur paqe dhe siguri.

Ky konflikt rrezikon iniciativën amerikane për vendosjen e raporteve miqësore mes Izraelit dhe Sirisë pas marrjes së pushtetit nga qeveria e Al Shara dhe largimit të Bashar Al Asadit.