Rektorët e universiteteve publike në Maqedoninë e Veriut janë ndër njerëzit më të paguar në sektorin publik, me rroga që variojnë nga 3 deri në 4 mijë euro neto në muaj, varësisht prej universitetit. Rrogat e stafit akademik nga viti 2023 janë rritur për 50%, vetëm profesori i rregullt në bazë mujore nga buxheti i shtetit merr neto 103.775 denarë, pa përllogaritur shtesat.

Shuma të mëdha parash në bazë mujore marrin edhe këshilltarët e rektorëve dhe i gjithë kuadri arsimor dhe joarsimor. Për këto universitete, vetëm në 4 vitet e fundit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë 18.5 miliard denarë.

Këto janë vetëm disa nga të dhënat që u nxorën nga hulumtimi “Pagat dhe shtesat në universitetet publike në Maqedoninë e Veriut: Si rregullohen?”, me autor Ardit Ramadani, të publikuar sot nga Forumi për Ndryshime në Arsim.

Shtesat e rektorëve janë shumë të larta

Përveç rrogës mujore si profesor të rregullt që është neto 103.775 denarë pa llogaritur shtesën për stazhin e punës, rektorëve ju takon edhe shtesa për funksionin rektor. Lartësia e kësaj shtese përcaktohet nga Senati i universiteteve pasi kjo shtesë ndahet nga mjetet vetanake të universiteteve përkatëse.

Pagat neto të rektorëve në universitetet publike në RMV, pa përfshirë shtesën për stazh pune:

• Rektorja e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup merr gjithsej 203.775 denarë neto, prej të cilave 100.000 denarë janë shtesë për funksionin “rektor” ndersa pjesa tjeter eshte rroga e profesorit te rregullt.

•Rektori i Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir merr 244.834 denarë neto, nga të cilat 141.059 denarë janë shtesë funksionale për funksionin ‘rektor’, pa kontribute të paguara në shtesë.

•Rektori i Universitetit te Tetovës merr 194.984 denarë neto, prej të cilave 91.209 denarë janë shtesë për funksionin ‘rektor’ ndërsa te shtesa i është minusuar vetëm tatimi personal.

•Paga neto e rektorit te Universitetit “Nëna Terezë” – Shkup është 155.982 denarë, nga të cilat 52.200 denarë janë shtesë për funksionin e rektorit.

•Rektori i Universitetit “Goce Dellçev” – Shtip (UGD) merr 136.758 denarë neto, nga të cilat 32.983 denarë janë shtesë funksionale për pozitën e rektorit.

•Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) përbën përjashtim, pasi paga e rektorit është fikse: 211.252 denarë neto dhe nuk ka shtesa të tjera funksionale.

Forumi për Ndryshime në Arsim ngrit këto pyetje: Meqë rektorët e disa universiteteve publike janë ndër njerëzit më të paguar në gjithë sektorin publik të shtetit — më të paguar edhe se Kryeministri, edhe se Presidentја: A i justifikojnë këto paga? Asnjë universitet në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk figuron në Listën e Shangait dhe as në mesin e 2000 universiteteve më të mira në botë sipas rangimeve te tjera relevante. Si qytetarë, kemi të drejtë të dimë: Çfarë keni bërë konkretisht për universitetin që drejtoni? Cilat investime infrastrukturore keni realizuar me paratë publike? Si i keni mbështetur kërkimet shkencore? Dhe më e rëndësishmja si e keni përmirësuar pozitën dhe reputacionin e institucionit që ju është besuar?

Rrogat mujore neto nga buxheti i shtetit për kuadrin arsimor dhe joarsimor

Rrogat e kuadrit arsimor dhe joarsimor në institucionet për arsim të lartë në Maqedoninë e Veriut janë vazhdimisht në rritje ndërsa numri i profesorëve dhe bashkëpunëtorëve në institutcionet për arsim të lartë në vend është 4.656.

Tabela më poshtë pasqyron pagat bazë neto të kuadrit arsimor dhe joarsimor, të financuara nga buxheti i shtetit. Në këto shuma nuk përfshihet shtesa për stazhin e punës (0.5% për çdo vit pune), si dhe asnjë shtesë tjetër eventuale si ato të përcaktuara nga vetë universitetet, kompensimet për mentorime apo pjesëmarrjet në komisione të ndryshme.