Më shumë se 11 orë pasi një tërmet me magnitudë 8.8 goditi gadishullin e Kamçatkës në lindjen e largët të Rusisë, Ministria ruse e Emergjencave ka tërhequr paralajmërimin për cunam.

Më herët lëkundjet e forta shkaktuan cunam me dallgë deri në katër metra të larta në të gjithë Paqësorin, të cilat u ndoqën me evakuime të shpejta nga Havai në SHBA deri në Japoni.

Fillimisht autoritetet ruse raportuan se cunami përmbyti qytetin bregdetar të Severo-Kurilskit, duke përmbytur zonën portuale dhe një fabrikë lokale peshkimi, ndërsa tërmeti dëmtoi një kopsht fëmijësh, por shumica e ndërtesave i rezistuan lëkundjeve të forta. Zyrtarët lokalë njoftuan se popullsia prej rreth dy mijë banorësh u evakuua dhe disa persona u plagosën, por raportohet se asnjëri prej tyre nuk është në gjendje të rëndë.

Pas tërmetit, autoritetet në SHBA, Meksikë, Ekuador dhe Kolumbi lëshuan alarme paralajmërimi për të shmangur plazhet dhe zonat e ulëta. Në Peru dhe Venezuelë, qendra kombëtare për operacionet e emergjencës paralajmëroi një cunam nga 1 deri në 2,31 metra pritet të kalojë në Puerto La Cruz rreth orës 10 (17:00 me orën shqiptare).

Në Japoni, gati dy milionë persona u këshilluan të evakuohen drejt zonave më të larta. Në Havai, guvernatori Josh Green tha se fluturimet në ishullin Maui u anuluan si masë paraprake. Qendra e Paralajmërimit për Cuname në Paqësor më vonë e uli alarmin për Havain në një nivel këshillues dhe autoritetet vendore anuluan urdhrin për evakuim nga zonat bregdetare.

“Qëndroni të fortë dhe të sigurt!” shkroi presidenti amerikan Donald Trump në rrjetet sociale.

Tërmeti i së mërkurës ishte më i forti në rajonin e Kamçatkës që nga viti 1952, tha shërbimi rajonal i monitorimit sizmik, duke paralajmëruar të tregohet kujdes nga paslëkundjet e forta.

Shërbimi Gjeologjik Amerikan tha se tërmeti me epiqendër në gadishullin e lindjes së largët të Rusisë është ndër 10 tërmetet më të forta të regjistruara ndonjëherë.