Fshati Veshallë i Malësisë së Tetovës ka qenë sot mikpritës i mërgimtarëve nga vende të ndryshme të botës në kuadër të manifestimit tradicional “Votra jonë na bashkon”.
Ngjarja u zhvillua në një atmosferë festive ku këngët patriotike, muzika folklorike dhe vallet e trevës e bënë ditën të paharrueshme për të pranishmit.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, theksoi rëndësinë e këtyre manifestimeve në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Ai u shpreh se Veshalla nuk është vetëm një fshat që ruan traditën, por është bërë simbol i gjallërimit të saj.
“Vajzat e veshura me veshje tradicionale të Malësisë e bënë atmosferën edhe më të bukur,” tha Kasami, duke shtuar se ngjarje të tilla forcojnë lidhjet e mërgimtarëve me vendlindjen, gjuhën dhe zakonet e tyre.
Manifestimi “Votra jonë na bashkon” është tashmë një traditë që çdo vit mbledh bashkë shqiptarë nga brenda dhe jashtë vendit, duke rikujtuar vlerat dhe identitetin kulturor të Malësisë së Tetovës.