Prokurori shtetëror publik Ljupço Kocevski tha se mbi punën e tij nuk ka ndikim politik, duke e vlerësuar raportin e Komisionit Evropian për gjyqësorin si të vërtetë dhe objektiv. Ai theksoi progresin në transparencën dhe luftën kundër korrupsionit të lartë, por edhe në sfidat serioze si buxheti i pamjaftueshëm dhe mungesa e kuadrit në Prokurori. Ai informoi edhe për procedurat në vijim të lidhura me ndërtimet pa leje, si dhe lëndën për zjarrin në diskotekën në Koçan, duke theksuar se prokuroria vepron sipas kompetencave ligjore.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me raportin e Komisionit Evropian rreth gjyqësorit, para seancës së sotme të Këshillit të Prokurorëve Publikë, Kocevski tha se Komisioni i vlerësoi gjërat në mënyrë korrekte. I pyetur për koment në qëndrimin e kryeministrit Hristijan Mickoski rreth pjesës së raportit për gjyqësorin, ai tha se nuk do të komentojë deklaratat politike.

“Komisioni Evropian i ka vlerësuar gjërat në mënyrë korrekte. Periudha e fundit është rritur vërtetë, duke filluar nga transparenca dhe pastaj gjithë ajo që e premtova në fillim, ndërsa kjo është dhënia e përparësisë për rastet e korrupsionit të lartë dhe të nejtat u përditësuan dhe deri në këtë moment me të vërtetë kemi sukses. Në lidhje me pjesën tjetër është e vërtetë se prokuroria publike ka më pak mjete të parashikuara në lidhje me atë që vijon me ligj dhe Komisioni e ka vënë re këtë, pra në atë pjesë besoj se gjithçka që është shkruar është realiste sa i përket qëndrimit të Prokurorisë Publike. Mund të them me përgjegjësi se asnjë politikan nuk ka pasur kurrë ndikim tek unë personalisht në lidhje me ndonjë rast”, theksoi Kocevski.

I pyetur nëse e konsideron faktin që punësimet e reja në Prokurorinë Publike nuk po miratohen si presion mbi punën, Kocevski nuk dha qëndrim, por theksoi se pavarësisht kërkesave për punësime të reja, ato nuk janë miratuar për dy vjet, gjë që e vështirëson funksionimin e institucionit.

Prokurori Republikan informoi se për të gjitha denoncimet për ndërtime pa leje në komunën e Çairit si dhe për territorin e gjithë shtetit veprohet me parahetime dhe hetime, por nuk mund të theksojë numra.

I pyetur nëse po shqyrtohet mundësia e ndarjes së çështjes që lidhet me zjarrin në diskotekë në Koçan, Kocevski tha se me siguri kjo nuk do të bëhet, duke shtuar se Prokuroria Publike ka përvojë me një numër të madh të të pandehurve në një rast.

“Prokuroria Publike nisi nga ato rrethana, nëse procedura mund të ndahet apo jo, duke marrë parasysh një numër rrethanash. Nëse procedura do të ndahej, mund të ishte bërë më e ndërlikuar dhe bëhet fjalë për të njëjtën ngjarje penalo-juridike, që do të thotë se nëse ka të pandehur në një procedurë, në një procedurë tjetër ata mund të jenë dëshmitarë e kështu me radhë. Megjithatë, ekziston edhe përvoja e mëparshme se ka pasur raste me mbi 30 të pandehur. Mendoj se numri nuk është shumë i madh dhe tani presim miratimin e aktakuzës. Ky është një rast dhe për rastin tjetër shpresoj që në fillim të shtatorit do të përfundojë hetimi ndaj oficerëve të policisë, që është rasti me krimin e organizuar”, theksoi Kocevski.

Këshilli i Prokurorëve Publikë mbajti sot seancën e njëzet e shtatë, në të cilën u zgjodhën dy prokurorë të rinj në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit dhe në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.