Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me një grup ekspertësh të jurisprudencës, prezantoi këtë të premte draftin e Kodit të Ri Penal.

– Advertisement –
Ky draft është hartuar nga ekspertë të pavarur, nën drejtimin e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.

Gjatë fjalës së tij, Rakipi zbuloi disa nga risitë që sjell Kodi i ri Penal, duke theksuar se një ndër propozimet më të debatueshme është ai për lirimin para kohe me kusht të personave të dënuar me burgim të përjetshëm.

“Sa i përket lirimit para kohe me kusht për të dënuarit me burgim të të përjetshëm, diskutimi u mbyll me qëndrimin që mund ta aplikojmë këtë. Është një propozim shumë i guximshëm.

Debati ka qenë i fortë, sepse këtu përfshihen shumë çështje. Por, nisur nga besimi që kam personalisht se njerëzit ndryshojnë dhe mund të përfitojnë lehtësime në bazë të kushteve të vendosura, përfundimisht ne e propozuam këtë zgjidhje.

Nuk e di se çfarë fati do të ketë kjo zgjidhje dhe nuk pres telefonata pasdite sepse do të jem me pushime. Por, natyrisht, do të ketë debate të forta për këto propozime, ku do të futen edhe elemente të besimit fetar.

Unë pres që diskutimi i përgjegjshëm të zhvillohet dhe në fund të arrijmë një zgjidhje të përbashkët për këto elemente”, tha Rakipi.

Ky propozim, si dhe të tjera të përfshira në draft, pritet të jenë pjesë e një procesi të gjerë konsultimi publik përpara se Kodi i ri Penal të miratohet në formën përfundimtare.