Lëvizja Arbëria ndjek me vëmendje qëndrimet e institucioneve evropiane dhe të eurodeputetëve në lidhje me procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, deklarata përkujtuese e eurodeputetit Thomas Weitz, se ndryshimet kushtetuese , janë zotim i marrë nga vetë Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe duhet të miratohen pa vonesa, është një tjetër këmbanë alarmi se koha nuk punon në favorin tonë.
Ndryshimet kushtetuese janë një kusht i qartë për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së. Çdo vonesë e mëtejshme është një pengesë direkte për të ardhmen evropiane të vendit dhe për besueshmërinë tonë ndërkombëtare. Prandaj, Lëvizja Arbëria u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë , veçanërisht VMRO-DPMNE-së, që të tejkalojnë vetveten dhe të marrin vendimme të guximshme, të gjejnë urgjentisht një kompromisin për zhbllokimin e procesit euro-integrues të vendit. Shqiptarët nuk kanë më kohë për të pritur.
Ata tashmë kanë bërë kompromise të dhimbshme për hir të stabilitetit dhe bashkëjetesës. Në një kohë kur Shqipëria po ecën me ritme të shpejta drejt anëtarësimit në BE, të kërkosh që integrimi evropian i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut të mbetet peng i bllokadave , qofshin të arsyeshme apo të paarsyeshme , është një padrejtësi e thellë politike dhe historike. U bëjmë thirrje edhe politikanëve shqiptarë në Qeveri që të mos qëndrojnë të heshtur. Ata kanë një obligim moral, politik dhe kombëtar për të garantuar qëndrueshmërinë e rrugës evropiane të vendit dhe të mos heshtin kur pengesat vijnë nga brenda, siç heshtnin dikur të tjerët para tyre.
Po ashtu, apelojmë te faktori ndërkombëtar , që të përfshihen me më shumë vendosmëri dhe qartësi në këtë proces. Mbështetja e tyre është thelbësore për ta mbajtur të gjallë perspektivën evropiane të vendit. E ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut nuk mund të mbahet më peng. Lëvizja Arbëria, sikurse të gjithë shqiptarët, është për Evropën, për përparimin, për barazinë dhe për një shtet ku të gjithë qytetarët ndihen të respektuar dhe të barabartë. Askush nuk ka të drejtë të mbajë peng të ardhmen e të gjithëve. Shqiptarët do të hapërojnë fuqishëm drejt BE-së me ose pa të tjerët.