Kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, dhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Institucionit Publik “Parku Kombëtar Mali Sharr”, z. Evzal Elmazi, nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi që synon forcimin e partneritetit ndërinstitucional në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm, promovimit të turizmit malor dhe mbrojtjes së mjedisit në zonën e Malit Sharr.

Memorandumi paraqet një hap të rëndësishëm në menaxhimin e përgjegjshëm të pasurive natyrore të rajonit, duke u fokusuar në ruajtjen e biodiversitetit, parandalimin e zjarreve dhe promovimin e potencialit ekonomik të Malit Sharr si një destinacion turistik ekologjik dhe gjithëvjetor.

“Kujdesi për mjedisin, zhvillimi i turizmit malor dhe ruajtja e pasurive natyrore nuk janë më opsione, por domosdoshmëri strategjike për të ardhmen e Tetovës dhe të gjithë rajonit,” deklaroi kryetari Kasami pas nënshkrimit të marrëveshjes. “Ky memorandum është një hap konkret drejt një Tetove më të pastër, më të gjelbër dhe në harmoni me natyrën.”

Përmes këtij bashkëpunimi, Komuna e Tetovës dhe Parku Kombëtar “Mali Sharr” angazhohen për të realizuar projekte të përbashkëta që synojnë edukimin ambiental, zhvillimin e infrastrukturës së qëndrueshme turistike dhe ngritjen e ndërgjegjësimit qytetar për ruajtjen e mjedisit.