Kontrata 3 milionëshe me negocim për urat mbi Ibër po hetohet nga Prokuroria, me çfarë arsyetimi u eliminuan kompanitë e tjera

Prokuroria Speciale po heton kontratën e Ministrisë së Infrastrukturës për ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër. Kjo kontratë është dhënë përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, e fituese është shpallur kompania “Eurokos Holding SH.P.K”, që ka ofertuar me çmim në vlerë 2 milionë e 999 mijë e 628 euro. Por, cilat ishin ofertat e kompanive tjera dhe me çfarë arsyetimesh u eliminuan? Tri prej tyre janë eliminuar me një arsyetim identik, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kontrata në vlerë rreth 3 milionë euro për ndërtimin e urave të reja mbi Ibër, është në mesin e 2 mijë kontratave të negociuara, që po hetohen nga Prokuroria Speciale.
Gurthemelet për dy urat janë vënë më 1 korrik, teksa mbrëmë Prokuroria njoftoi se ka nisur hetimet për këtë tender. Kontrata është dhënë më 30 qershor, teksa kohëzgjatja e saj është për 4 muaj.
Osmani në SHBA: Kosova është e bekuar me mbështetjen e palëkundur të Kongresit Amerikan
Inspektorati i Tregut në aksion, mbyllen 30 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate
“Hetimi për kontratën për ndërtimin e urave në Mitrovicë, nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore, në mbrojtje të interesit publik dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që të garantohet një administrim i drejtë dhe ligjor i resurseve publike”, tha Prokuroria.
Oferta më e ulët për këtë tender ka qenë 2 milionë e 890 mijë e 106 euro, teksa më e larta 3 milionë e 420 mijë e 764 euro.
Pas negocimit, me kontratë është shpërblyer kompania “Eurokos Holding SH.P.K”, që ka ofertuar me çmim në vlerë 2 milionë e 999 mijë e 628 euro, që ka qenë e dyta në renditje nga çmimi më i ulët, shkruan Reporteri.net.
Kompanitë tjera që kanë ofertuar janë “Arsimi Company SH.P.K”, me çmim 2 milionë e 890 mijë e 106 euro; “Famis CO-HC SH.A” me çmim 3 milionë e 203 mijë e 223 euro, “Lika Trade SH.P.K” me çmim 3 milionë e 311 mijë e 341 euro dhe “VIA SH.P.K” me çmim 3 milionë e 420 mijë e 764 euro.
Sipas dosjes së tenderit, kompania me ofertën më të lirë, “Arsimi Company” është eliminuar për mospërmbushje të kritereve.
“Tek kërkesat mbi gjendjen ekonomike dhe financiare, nuk e arrini vlerën e kërkuar sipas kërkesës. Ju mungojnë dëshmitë lidhur me inxhinierët e ndërtimtarisë. Plani dinamik e tejkalon afatin për realizimin e projektit. Listën e pajisjeve nuk e përmbushni sipas FDT”, thuhet në arsyetimin për eliminim.
Tri kompanitë e tjera që kishin ofertuar janë eliminuar me një arsyetim identik; se oferta e tyre është më e lartë se vlera e parashikuar prej 3 milionë euro.
“Komisioni i vlerësimit konstaton se oferta e juaj është eliminuar pasi që në ofertën tuaj keni ofruar çmimin më të lartë se vlerë e parashikuar e kontratës (buxhetit) andaj, edhe oferta e juaj është kualifikuar si e papërgjegjshme (refuzuar)./Reporteri.net