Futbollistet e Kosovës zhvilluan dy ndeshje miqësore kundër Estonisë në fund të muajit qershor, si përgatitje për sfidat e plejofit të Ligës së Kombeve.

Në takimin e parë të luajtur më 28 qershor, “Dardanet” dolën fituese me rezultat të ngushtë 1:0. Ndërsa ndeshja e dytë, e zhvilluar të martën në stadiumin “Kadrioru” të Talinit, përfundoi me barazim 2:2.

Kosova e mbylli pjesën e parë në epërsi 2:1, ndonëse ishte Estonia ajo që kaloi e para në avantazh në minutën e 13-të. Reagimi i vajzave të Kosovës erdhi në minutën e 30-të me golin e Kaltrina Biqkaj, ndërsa kapitenia Erëleta Memeti shënoi për 2:1 në minutën e 41-të.

Pjesa e dytë nisi me gol të shpejtë nga vendaset, që në minutën e 46-të rikthyen baraspeshën. Më pas, të dyja ekipet patën raste, por nuk arritën të ndryshojnë rezultatin.

Këto miqësore shërbyen si provë përpara përballjes së rëndësishme kundër Turqisë në kuadër të plejofit për rikthim në Ligën B të Ligës së Kombeve. Kosova siguroi vendin në plejof si një nga ekipet më të mira të vendeve të dyta në Ligën C, pasi përfundoi Grupin 6 me shtatë pikë në vendin e dytë.