Për herë të 46-të me radhë, përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar.

As seanca e së dielës nuk solli zgjidhje, pasi deputetët nuk arritën të formojnë komisionin për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit.

Seanca e radhës është thirrur për të martën, në orën 11:00, në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin institucional që po zgjat tashmë prej javësh.

Deputetët e Vetëvendosjes deklaruan se kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit gëzon mbështetje të plotë nga të gjitha subjektet e shumicës parlamentare: Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme në asnjë nga 46 tentativat e deritanishme.

Nga ana tjetër, deputetja e NISMA-s, Arbëreshë Krasniqi, e ka cilësuar situatën aktuale si “shqetësuese”. Ajo ka bërë të ditur se kryetari i partisë së saj, Fatmir Limaj, pritet të zhvillojë një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do t’i hapte rrugë funksionalizimit të institucioneve të vendit.

Përkundër thirrjeve të vazhdueshme për përgjegjësi politike dhe bashkëpunim, përplasjet ndërmjet pozitës dhe opozitës duket se po thellohen, duke lënë të paralizuar Kuvendin dhe duke rritur pasigurinë për të ardhmen e procesit institucional në Kosovë.