Ministri i Jashtëm i Türkiye-s, Hakan Fidan, ka shprehur shqetësimin e tij për sulmet e Izraelit që kanë pasur në shënjestër jugun e Sirisë dhe kryeqytetin Damask, gjatë një bisede telefonike me homologun sirian Asaad Hassan al Shaibani, njoftojnë burime diplomatike turke.
Fidan tha se sulmet e Izraelit që shënjestrojnë jugun e Sirisë dhe Damaskun janë shkak për shqetësim. Ai theksoi se ndërhyrjet që rrezikojnë sigurinë rajonale dhe përpjekjet për vendosjen e stabilitetit në Siri duhet të përfundojnë menjëherë.
Fidan gjithashtu nënvizoi rëndësinë që të gjitha palët e përfshira të angazhohen për rikthimin e paqes në Siri.
Diplomati më i lartë turk zhvilloi gjithashtu një bisedë telefonike me të dërguarin e posaçëm të ShBA-së për Sirinë, Tom Barrack, i cili shërben edhe si ambasador i ShBA-ve në Türkiye.
Gjatë bisedës me Barrack, Fidan kërkoi ndalimin e sulmeve të Izraelit që shënjestrojnë Sirinë, si dhe ndalimin e përleshjeve në jug të Sirisë.
Fidan zhvilloi gjithashtu një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Jordanisë, Ayman Safadi.
Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore mbi Damask të mërkurën, duke pasur në shënjestër Ministrinë e Mbrojtjes së Sirisë dhe zona pranë pallatit presidencial. Këto sulme vijnë pasi Izraeli rifilloi sulmet në provincën Suwayda në jug të Sirisë, duke paralajmëruar se ato do të vazhdojnë nëse forcat siriane nuk tërhiqen.
Ushtria siriane kishte vendosur trupa në këtë zonë për të rikthyer rendin pas përleshjeve mes grupeve të armatosura druze dhe beduine, që lanë të paktën 30 të vrarë.
Ushtria izraelite pretendon se veprimet ushtarake synojnë mbrojtjen e minoritetit druze.