Organizata ndërkombëtare e Kryqit të Kuq ka paralajmëruar të martën se rritja e numrit të viktimave afër pikave të shpërndarjes së ndihmave e kanë mbingarkuar sistemin shëndetësor të Gazës, ka raportuar The Guardian.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) ka thënë përmes një njoftimi se spitali i saj fushor në Gazën jugore ka evidentuar 200 të vdekur që prej hapjes së Fondacionit Humanitar të Gazës në fund të muajit maj. Qendra shëndetësore ka trajtuar më shumë se “2,000 pacientë të plagosur nga armët e zjarrit, shumica e tyre në më shumë se 21 ngjarje të ndara prej njëra-tjetrës, me viktima masive”.
Në mesin e të plagosurve janë fëmijët, të moshuarit, nënat dhe në masë të madhe, burrat e rinj dhe djemtë që po tentonin të merrnin ndihmat ushqimore për familjet e tyre.
“Shkalla dhe frekuenca e këtyre incidenteve është e pashembullt”, thuhet në njoftimin e Kryqit të Kuq, tek kanë shtuar se spitali fushor ka trajtuar më shumë pacientë në muajin maj sesa “në të gjitha ngjarjet me viktima masive përgjatë vitit të kaluar”.
Muajin e kaluar, Ushtria izraelite kishte njoftuar se ka filluar një hetim sa u përket pretendimeve për krime të mundshme të luftës, krahas dëshmive e provave gjithnjë e në rritje që trupat e saj po gjuajnë qëllimisht në drejtim të palestinezëve që mblidhen për të pranuar ndihmat humanitare në Gazë.
Ndërkohë, Ushtria izraelite ka thënë se pesë ushtarë kanë humbur jetën gjatë një sulmi në Gazë, teksa zyrtarët shëndetësorë palestinezë kanë pretenduar nga ana tjetër se 18 persona janë vrarë si rezultat i sulmeve ajrore të Izraelit, ka raportuar The Guardian.
Zhvillimet e fundit kanë ndodhur në kohën kur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka vizituar Shtëpinë e Bardhë për bisedime me presidentin amerikan, Donald Trump, rreth një plani të armëpushimit.
Ndonëse s’ka pasur ende ndonjë njoftim të jashtëzakonshëm, është evidente se ka pasur shenja të përparimit drejt përfundimit të marrëveshjes.