Shkruan: Merxhan Jakupi
Mëngjesin e së dielës, karvani i makinave dhe taksive po rrugëtonte drejt katundeve të Malësisë së Sharrit, për manifestimin tradicional “Vatra jonë na bashkon”. Ustallarët te Kulla, përballë katundit, kishin nisur himnin (nebet). Në katundet e Malësisë, si Veshallë, Bozovcë, Veshallë e katunde të tjera, ustallarët njihnin çdo pëllëmbë toke dhe lagjeje. Dasmat pa lodra, thoshin dikur, duken si morte. Kur një dasmë në katundet e Malësisë ishte bërë pa lodra, një valltar kishte thënë “Dasma pa lodra është si katundi pa xhami ose kishë”.
Kur ustallarët kishin filluar të bëjnë nebet, nga buçitja e lodrave dhe tingujt e bukur të zurleve ushëtonin malet dhe bjeshkët. Kur bishat i dëgjuan, të gjitha u ndalën. Këto bisha, për dekada të tëra, nuk kishin dëgjuar buçitjen e lodrave dhe tingujt e zurlëve. Njëra prej bishave kishte thënë: “Kush janë këta gjeni?” Nga gjëmimi dhe ushëtima e lodrave, u tronditën dhe u lëkundën “Gjuri Dinak” dhe “Gjuri i Gjatë”. Këta dy shkëmbinj gjigantë qëndronin ballë për ballë si dy statuja dhe tempuj përballë katundit. Nga buçitja e lodrave dhe zëri i zurlëve, dridheshin edhe pullazet e shtëpive, bashkë me oxhaqet që për dekada me rradhë nuk nxirrnin tym. Ishin dridhur dritaret dhe çardakët.
Manifestimi “Vatra jonë na bashkon” ia kishte kthyer buzëqeshjen dhe krenarinë katundit. Lëvizjet e njerëzve dhe ushëtima e lodrave i dhanë gjallëri fshatit. Kjo ditë ngjante me ditët e dasmave që bëheshin para shumë dekadash. Në oborrin e shkollës kishin filluar këngët dhe vallet. Nga ushëtima e lodrave dhe zëri simfonik i zurlave, dridheshin edhe bankat e zbrazura dhe dera e zezë e klasës. Kësaj shkolle, vitin e kaluar, iu vu dryni përgjithmonë. Por, në këtë ditë madhështore, kësaj zone iu kthyen krenaria, entuziazmi dhe buzëqeshja. Kjo zonë fisnike dhe bujare kishte lindur burra trima. Kishte lindur djem edhe cuca. Kishte lindur edhe pehlivanë që ngjanin si gladiatorët e Romës. Zëri i këtyre pehlivanëve kishte shkuar deri në Azinë e Vogël dhe Anadoll.
Në këtë ditë ishin kthyer shumica, ishin kthyer nipat, mbesat, stërnipat dhe stërmbesat. Një pjesë e tyre kishin qenë në katund që në fëmijëri, ndërsa pjesa tjetër, nga brezi i dytë dhe i tretë, kishin lindur në shtetet perëndimore. Këta të rinj e të reja ishin shkëputur nga matrica, nga gjeni, toka dhe fisi. Shumica e këtij brezi të dytë dhe të tretë ishin shkëputur një herë e përgjithmonë nga etnogjeneza ilire dhe dardane, nga tokat e Arbërit. Ata kishin lëshuar rrënjë të pemës në një botë tjetër, në shtetet e Evropës Perëndimore dhe përtej oqeaneve.
Kthimi i brezit të dytë dhe të tretë, në këtë ditë të manifestimit “Vatra jonë na bashkon”, mbetet një përqafim, një ngushëllim dhe një homazh. Një kthim te rrënjët e të parëve. Një kthim te toka, gjaku dhe fisi. Në këtë manifestim, nga shumë të rinj, përveç gjuhës shqipe, dëgjoheshin më së shumti gjermanishtja dhe italishtja. Këto takime shërbenin si njohje dhe kohezion social. Këta mërgimtarë, në këtë manifestim, fisnikëronin shpirtra dhe lidhjet me vendlindjen e gjyshërve dhe prindërve të tyre.
Në mes të maleve të larta, bjeshkëve, arave dhe lëndinave, në oborrin e shkollës, aroma e flisë dhe e gjizës, e përzier me ajrin e freskët, e shtonte edhe më shumë oreksin për të ngrënë.
Grupi i valltarëve me veshje tradicionale vallëzonte vallen kallenxhoj. Këto valle folklorike, në këtë katund dhe në gjithë katundet e Malësisë së Sharrit, janë valle të vjetra epike që janë luajtur nëpër dasmat e malësisë së Komunës së Tetovës, të Prizrenit, e deri në krahinat veriore, Kukës, Bajram Curri, krahinën e Lumës e të tjera. Më pas, filluan vallet e vajzave, me veshje tipike malësore: dimi mavi, skutaçe dhe xhamadanë të qëndisur me mjeshtëri.
Imazhi i këtyre valleve me veshje tradicionale malësore të kthente pas në kohë, në periudhën kur vajzat e malësisë iu binin daireve, duke kënduar e vallëzuar me shpirt e krenari. Në këtë manifestim, përveç banorëve të Veshallës, kishin ardhur edhe të ftuar nga qyteti dhe katunde të tjera. Nuk mungonin as mysafirët nga Kosova dhe nga qytete të ndryshme të Maqedonisë Perëndimore. Kishte ardhur në këtë manifestim edhe këngëtarja e mirënjohur, artisja e popullit, Shkurte Fejza. Ajo e hapi programin me himnin “Mora fjalë”, një këngë që në vetvete mbart jehonën e fuqishme të këngëve patriotike. Nga zëri i saj i fuqishëm kumbonin malet dhe bjeshkët e Sharrit. Tek të rinjtë, këto këngë zgjonin emocione dhe kënaqësi të thellë shpirtërore.
Pas mbarimit të manifestimit, duke lënë pas katundin nën qiellin e kaltër, ku dielli kishte marrë rrugën e perëndimit, gjithçka po shkonte drejt fundit. Makinat ishin nisur për në qytet. Duke kaluar përgjatë rrugës së Kullës, kishin hapur xhamat e makinave. Të gjithë ishin kthyer me kokë pas, drejt shtëpive të tyre, avlive dhe kopshteve të tyre. Shumica kishin lindur në ato shtëpi, kishin parë dritën e parë, ëndrrën e parë. Në ato shtëpi kishin qarë e kishin qeshur, ishin rrëzuar e ishin ngritur, kishin përjetuar gëzime, lumturi, vuajtje dhe dhimbje. Lanë pas arat, zabelet dhe stanet. Lanë shtëpitë, lagjet dhe varret e gjyshërve, prindërve, vëllezërve dhe motrave.
Manifestimi “Vatra jonë na bashkon” është një manifestim tradicional, i organizuar nga brezi i dytë i veshallësve që kanë shkuar në fëmijëri dhe atyre që kanë lindur në Zvicër, shumica në kantonin St. Gallen, në qytetin e Alpeve zvicerane, Wil. Këto aktivitete kulturore realizohen falë punës së shoqatës humanitare, aktivistëve, anëtarëve dhe kryetarit të shoqatës, Ismail Rushanit. Kjo shoqatë, së bashku me aktivistët dhe kryetarin, organizoi dy manifestime kulturore: njërën gjatë pushimeve verore në vendlindje, katundin Veshallë, dhe tjetrën në qytetin Wil, me rastin e festave të nëntorit, festës së flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë.