Tensionet për arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës janë rritur ndjeshëm pasi SHBA dhe Izraeli tërhoqën negociatorët e tyre nga bisedimet, duke akuzuar Hamasin për mungesë bashkëpunimi dhe vullneti politik.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, deklaroi të enjten se Hamasi po vepron në mënyrë “egoiste” dhe “nuk po tregohet i sinqertë” në procesin e negociatave.

“Duket se nuk po veprojnë me mirëbesim”, tha Witkoff, ndërsa konfirmoi tërheqjen e përfaqësuesve amerikanë nga bisedimet. Po atë ditë, edhe Izraeli mori një vendim të ngjashëm, raporton cnn.

Nga ana tjetër, Hamasi i hodhi poshtë akuzat. Një zyrtar i lartë i Byrosë Politike të Hamasit, Basem Naim, deklaroi se situata është keqinterpretuar nga SHBA, raporton cnn.

“Vetëm pak ditë më parë, Witkoff po thoshte se kemi rënë dakord për tre nga katër pikat. Ajo që ne kemi propozuar mund të çojë në marrëveshje — nëse Izraeli e dëshiron një të tillë,” tha ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump reagoi ashpër, duke thënë se Hamasi nuk ka ndërmend të arrijë marrëveshje për armëpushim apo për lirimin e pengjeve. “Është koha të përfundojmë punën dhe të shkatërrojmë grupin,” u shpreh ai.

Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu njoftoi se qeveria po shqyrton “opsione alternative” për të kthyer pengjet dhe për të përfunduar sundimin e Hamasit në Gaza.

Me gjithë tensionet, përpjekjet diplomatike nuk janë ndalur. Egjipti dhe Katari, ndërmjetësuesit kryesorë në proces, konfirmuan se bisedimet do të vazhdojnë. Në një deklaratë të përbashkët, dy vendet theksuan se pezullimi i tanishëm i bisedimeve është “i zakonshëm në kuadër të negociatave të ndërlikuara”.