Kushtet për të qenë drejtor në Byronë për Siguri Publike dhe shef sektorësh policorë janë lehtësuar ndjeshëm me ndryshimet e reja ligjore që kanë mbërritur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, informon PressOnline.al

Sipas propozim-ligjit të ri për ndryshime në Ligjin për Policinë dhe për Punët e Brendshme, drejtori i ardhshëm i Byrosë për Siguri Publike – institucioni më i rëndësishëm në strukturën policore – nuk do të ketë më detyrimin të ketë diplomë nga fusha e sigurisë, drejtësisë apo ekonomisë, por mjafton të ketë përfunduar një fakultet nga kampusi i shkencave shoqërore, pa qenë i lidhur drejtpërdrejt me fushën policore.

Gjithashtu, kriteret gjuhësore janë zbutur: përveç certifikatave ndërkombëtare si TOEFL dhe IELTS, mjafton një vërtetim për njohje të gjuhës angleze, gjermane apo frënge.

Ndërkohë, ndryshime të thella parashikohen edhe në përzgjedhjen e shefave të Sektorëve për Punë të Brendshme në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Ohër, Strumicë, Shtip, Bitolë dhe Veles. Kushti aktual për të pasur të paktën 6 vite përvojë në polici dhe 4 vite në poste drejtuese është hequr, duke i hapur rrugë emërimeve më fleksibile, informon PressOnline.al

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me strukturën e stacioneve policore me shërbim 24 orë. Në Shkup janë shtuar tre stacione të reja: Butel, Ilinden dhe Saraj, ndërsa stacioni i njohur i Bit Pazarit është fshirë sërish nga lista, megjithëse konsiderohet ndër objektet më të mëdha dhe me volum të madh pune.

Përmes nenit të ri 16-b të ligjit, drejtori i BSP-së fiton kompetenca shtesë, duke pasur të drejtë të lëshojë urdhra operativë në fushën policore dhe kriminalistike.

Ky propozim-ligj ngre pikëpyetje të shumta në opinionin publik dhe strukturat profesionale, për shkak të ndryshimeve të thella në kriteret për emërimet në poste të larta në polici, si dhe për shkurtimin e kapaciteteve në zona të ndjeshme si Bit Pazari.