Dhjetëra ligje të cilat kanë qenë të propozuara nga ana e opozitës në Kuvend kryesisht nga opozita maqedonase janë hedhur poshtë nga ana e deputetëve të shumicës. Sipas deputetëve të LSDM-së, kjo tregon se kjo shumicë e kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja as që dëshiron t’i dëgjojë këto propozim-ligje, e të cilat kanë qenë të premtuara edhe nga ana e VMRO-DPMNE-së, në programin të titulluar 1189. Sipas deputetit, Jovan Mitrevski, për herë të parë në demokracinë parlamentare të Maqedonisë po ndodh që një parti politike i gënjen qytetarët para syve, duke mos votuar as ligjet, të cilat vet i kishin premtuar para qytetarëve.

“Gënjeshtër, një gënjeshtër e madhe. Të mos i votoni ligjet, të cilat vet i keni premtuar. Kjo akoma nuk është parë në Parlamentin e vendit tonë. Deri më tani të gjitha ligjet i refuzuat pa asnjë arsyetim, por po ju bëj thirrje së paku ta pranoni vetëm një ligj dhe të tjerat po i tërheqim.”, – deklaroi Jovan Mitrevski nga VMRO-DPMNE.

Por, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, replikoi se është i habitur nga kjo qasje e opozitës maqedonase, të cilët dalin dhe i përkrahin ligjet të cilat VMRO-DPMNE-ja i ka propozuar.

“Të çuditesh është punë në vendin tonë, opozita që 7 vite ishte në pushtet dhe kishin mundësi t’i sjellin, por nuk e bënë. Tani pasi të dilni në opozitë keni gjetur shpresën dhe vullnetin t’i propozoni dhe prisni që shumica t’ju përkrah, kjo është vetëm popullizëm dhe asgjë tjetër. Strategjinë që ua kanë treguar që t’i propozoni ligjet e VMRO-DPMNE-së ju ka gënjyer. Platforma 1189 ka projekte të qarta dhe jo demagogji politike.”, – theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.

Ndërsa deputeti Elmi Aziri nga ASh-ja e Zijadin Selës ka reaguar se Kuvendi i kryesuar nga kryetari, Afrim Gashi, qëllimisht po lejon diskriminimin dhe shkeljen e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, sepse sipas tij, në disa raste materialet e Kuvendit po dorëzohen vetëm në gjuhën maqedonase.

“Të nderuar, sikurse edhe më herët që kanë dhënë vërejtje, ja edhe sot po jap disa materiale që sot i kemi pranuar vetëm në gjuhën maqedonase. Insistimi për mosrespektimin e rregullores, për mosrespektimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, për mosrespektimin e kushtetutës së RMV-së, nuk i bën mirë Maqedonisë, nuk i bën mirë as këtij Parlamenti, nuk i bën mirë as të ardhmes, por e bën të rrejshme tendencën deklarative të shumë deputetëve dhe funksionarëve se gjoja Maqedonia e Veriut t’i përqafojë vlerat e Bashkimit Evropian.”, – u shpreh deputeti i Frontit Evropian, Elmi Aziri.

Në rend të ditës ishte e planifikuar të jetë edhe interpelanca e ngritur nga ana e deputetëve të Frontit Evropian për punën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski. Deputetët e Frontit Evropian kanë theksuar se kjo iniciativë nuk ka për qëllim ushtrimin e presionit ndaj Gjykatës Kushtetuese, por të ngritë një debat institucional mbi mënyrën e funksionimit të këtij institucioni dhe rolin e kryetarit të saj në respektimin e Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi.