“E përforcojmë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut përmes partneritetit të ri strategjik”, kumtoi në platformën X sekretari i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy me rastin e nënshkrimit të Deklaratës për partneritet strategjik mes dy vendeve.

“Përmes partneritetit të ri strategjik, e përforcojmë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut për rritje të mundësive investuese, përballjes me emigracionin e parregullt dhe përforcimin e sigurisë së përbashkët. Më vjen mirë që u pashë me Timço Mucunskin – me padurim pres sërish ta mirëpres në Procesin e Berlinit”, shkroi Lammy.

Deklaratën për partneritet strategjik mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore dje në Forin Ofis në Londër e nënshkruan shefi i diplomacisë sonë, Timço Mucunski dhe sekretari britanik i Punëve të Jashtme, David Lammy.

Mucunski në Facebook kumtoi se me këtë hapet kapitull i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe përforcohen marrëdhëniet bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar.

“Takim me rëndësi historike, i cili hapë kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, në kuadër të të cilave e nënshkruam Deklaratën për partneritet strategjik. Ky dokument do t’i përforcojë dhe avancojë marrëdhëniet strategjike mes të dy vendeve, përfshirë edhe bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes, posaçërisht në suaza të NATO-s. Biseduam edhe për marrëveshjen e mëparshme ‘qeveri me qeveri’, e cila do ta rrisë tregtinë. do ta nxisë rritjen ekonomike dhe do të mundësojë realizim të një sërë projektesh infrastrukturore. Biseduam edhe për aleancën tonë në kuadër të NATO-s, si dhe për bashkëpunimin në organizatat multilaterale”, theksoi Mucunski në Facebook.