Lidhja Demokratike kanë thënë se në tri vazhdimet e fundit të seancës së Kuvendit janë bërë shkelje kushtetuese në kundërshtim me aktgjykimin e fundit të Kushtetueses, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se grupi parlamentar i kësaj partie do t’i drejtohet sot me pyetje Gjykatës Kushtetuese.

Haziri tha mbrëmë në Klan Kosova se pyetja e LDK-së për Kushtetuesen do të jetë se a ka të drejtë kryesuesi i kuvendit, deputeti më i vjetër, Avni Dehari, që të vazhdojë t’i ftojë deputetët që ta zgjedhin komisionin për votimin e fshehtë.

“Ne prapë kemi me dërgu nesër, grupi i deputetëve të LDK-së e ka përgatitur draftin në Gjykatë Kushtetuese ku do të kërkojë shpjegim dhe vlerësim të Kushtetueses në lidhje me çështjen, sepse ne po ftohemi që të votojmë për një komision ad-hoc i cili në procedurë e sipër, kryesuesi fton pa të drejtë”.

“Ne do t’i drejtohemi në këtë frymë të vendimit që e ka sjellur, se a ka të drejtë kryesuesi të vazhdojë që t’i ftojë deputetët që të zgjedhin komision ad-hoc për votim të fshehtë. Është eksplicit në kërkesë”, tha Haziri mbrëmë.

Kushtetueses i është drejtuar ditën e djeshme edhe Partia Demokratike e Kosovës.

PDK ka dorëzuar të enjten në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë tri seancave të fundit, vazhdime të seancës konstituive, shkruan Reporteri.net.

Në kërkesën e dorëzuar, PDK ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive dhe të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare.

“Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në njoftimin e PDK’së.

Sipas PDK’së, ky hap është thelbësor për të ndalur “tendencën për përmbysje të rendit demokratik” dhe për të garantuar që “asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos e vë veten mbi Kushtetutën”.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten e kaluar që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi. /Reporteri.net/