PSG ka siguruar një vend në finalen e Kupës së Botës për Klube, pasi mposhti Real Madridin me rezultat të thellë 4-0.

Pas ndeshjes, trajneri i parisienëve, Luis Enrique, ka komentuar fitoren dhe reagimin që ka marrë nga tifozët e Barcelonës.

“Telefoni im është plot me mesazhe nga tifozët e Barcelonës që më urojnë”, tha Enrique me një buzëqeshje në konferencën për shtyp.

“Kur luan kundër ekipeve të mëdha, jep 100 për qind, sepse përfaqëson një klub, një fanellë dhe një ide”.

Ish-trajneri i Barcelonës theksoi se PSG nuk e uli ritmin gjatë ndeshjes, pavarësisht avantazhit të madh. Ai tha se në garat e nivelit të lartë, nuk ka vend për frenime apo marrëveshje të heshtura.

“Disa lojtarë kishin nevojë për pushim për shkak të vapës dhe lodhjes, por ne nuk e ngadalësuam ritmin në asnjë moment. Në këtë nivel, nuk ka vend për kompromise”, tha ai.

Enrique vuri në dukje dallimin mes PSG-së së konsoliduar dhe Real Madridit që sapo ka nisur një projekt të ri me Xabi Alonson në krye. Ai theksoi se madrilenëve u duhet kohë për t’u ndërtuar.

“Projekti ynë ka vazhduar për dy vite, ndërsa Xabi sapo ka filluar. Ai ka treguar nivelin e tij kudo ku ka punuar, por ka ende shumë për të ndërtuar,” shtoi trajneri spanjoll.

Në fund, Enrique vlerësoi edhe kontributin e ekipit të tij, veçanërisht mbrojtësve Hakimi dhe Nuno Mendes, duke theksuar se PSG po synon të bëjë histori dhe të fitojë çdo garë këtë sezon.