Maqedonia dhe Bullgaria janë dakorduar ta finalizojnë marrëveshjen për ndërtimin e një tuneli hekurudhor midis Gjueshevës dhe Deve Bairit deri në fund të korrikut, çka hap rrugën për fillimin e punimeve ndërtimore në vitin 2026.

Të dy vendet janë një hap më pranë realizimit të projektit të përbashkët për ndërtimin e një tuneli ndërkufitar hekurudhor midis Gjueshevës dhe Deve Bairit, si pjesë e segmentit lindor të Korridorit 8. Në një takim të mbajtur në Bruksel, palët u dakorduan që deri në fund të korrikut të finalizojnë tekstin e marrëveshjes ndërqeveritare, e cila do të përcaktojë aspektet teknike, financiare dhe operative të projektit.

Në takim, i organizuar nga Komisioni Evropian, morën pjesë përfaqësues të lartë nga institucionet e transportit të të dy vendeve, përfshirë sekretarin shtetëror të Ministrisë së Transportit të Maqedonisë, Stefan Volkanovski, dhe drejtorin e Ndërmarrjes Publike “Hekurudhat – Infrastruktura”, Siniša Ivanovski, si dhe zëvendësministrin e Transportit të Bullgarisë, Lyuben Nanov. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Komuniteti i Transportit.

Tender i ri për segmentin në afërsi të Kriva Palankës

Marrëveshja, nënshkrimi i së cilës pritet këtë vjeshtë, do të mundësojë fillimin e punimeve për tunelin në gjysmën e parë të vitit 2026. Tuneli do të ndërtohet sipas projektit teknik ekzistues të përgatitur nga pala maqedonase, ndërsa të dy vendet do të krijojnë grupe pune për zbatimin e tij.

Maqedonia është zotuar që deri në fund të vitit 2025 të shpallë sërish tenderin për segmentin Kriva Palankë – hyrja e tunelit, ndërsa Bullgaria ka paraqitur aktivitetet që ka ndërmarrë në territorin e saj, përcjell DW.

Të dyja palët shprehën gatishmëri për të aplikuar bashkërisht për mbështetje financiare nga BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim sigurimin e fondeve për realizimin e këtij projekti strategjik.

Gjatë muajve të fundit, të dyja shtetet janë akuzuar ndërsjelltas për bllokimin e projektit për ndërtimin e linjës hekurudhore të Korridorit 8. Ministri maqedonas i Transportit, Aleksandër Nikollovski, në muajin prill e akuzoi Bullgarinë se “nuk dëshiron ta ndërtojë hekurudhën”.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri bullgar dhe ministër i Transportit, Grozdan Karaxhov, u kundërpërgjigj duke deklaruar se Bullgaria tashmë po punon në hekurudhën ku, deri në vitin 2032, trenat do të qarkullojnë me 160 kilometra në orë, ndërsa nga ana tjetër nuk po bëhet asgjë.

Korridori 8, i cili lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, është pjesë e korridorit më të gjerë evropian të transportit “Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor” dhe gëzon mbështetje të fuqishme nga Bashkimi Evropian.