Në Tiranë është mbajtur simpoziumi me temë “Rreziku gylenist në Shqipëri”, në kuadër të 15 Korrikut, përvjetorit të nëntë të tentativës për grusht shteti në Turqi, tentativë e ndërmarrë nga organizata terroriste FETO, raporton Anadolu.
Në aktivitetin e organizuar nga disa organizata të shoqërisë civile ishin të pranishëm përfaqësues të Zyrës së Këshilltarit për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, drejtues të shoqatave të ndryshme dhe studiues.
Një nga organizatorët e simpoziumit, aktivisti Floriar Arapi, në fjalën e tij u fokusua në historikun e organizatës terroriste FETO në Shqipëri, rrezikun që ajo paraqet në Shqipëri dhe çështje të tjera.
Arapi theksoi se ky simpozium ka një rëndësi të madhe për besimtarët muslimanë shqiptarë, por edhe për të gjithë shtetasit shqiptarë, pasi sipas tij ka si qëllim kryesor çjerrjen e maskës së kësaj organizate (FETO).
“Ky simpozium mbahet sot në ditën e përkujtimit të masakrës më të madhe të kryer nga gylenistët, në tentativën për grushtin e shtetit në Turqi në datë 15 korrik 2016, ditë e cila i vendosi vulën përfundimtare (të terrorizmit) kësaj organizate që deri në atë ditë kishte punuar më së shumti nën rrogoz”, tha ai.
Duke theksuar se e gjithë forca e kësaj organizate dhe njëherësh rreziku që vjen nga ajo vjen nga shkollat e organizatës, Arapi tha: “Nga shkollat e saj përgatiten besnikët apo ushtarët e kësaj organizate. Bashkë me edukimin arsimor nxënësve u propagandohet Gyleni, madhështia e tij false dhe organizata dhe anëtarët bëhen aleatë apo besnikë të kësaj organizate”.
Fjalime mbajtën edhe kryetari i Forumit Musliman të Shqipërisë, Fisnik Kruja, teologu Merxhan Shehu dhe teologu Justinian Topulli.
Turqia shënon sot 15 Korrikun, Ditën e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, që shënon edhe përvjetorin e nëntë kur organizata terroriste FETO kreu një tentativë të dështuar grusht shteti.