Mediat rumune, në prag të përballjes ndërmjet KF Shkëndijës dhe FCSB-së në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, i kanë kushtuar vëmendje historisë dhe sfidave me të cilat është përballur klubi shqiptar nga Tetova që nga periudha e Jugosllavisë e deri sot, njofton Telegrafi.

Në tekstin e tyre, theksohet se Shkëndija u themelua nga shqiptarët etnikë të Tetovës, si një përfaqësim sportiv dhe kulturor i komunitetit, por autoritetet jugosllave e ndaluan aktivitetin e klubit vetëm dy vjet pas themelimit, duke pasur frikë nga rritja e ndikimit të shqiptarëve në sport.

Pas pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991, klubi u rikthye në skenën futbollistike, por jo pa sfida. Në sezonin 2012/2013, Shkëndija u përball me një krizë të thellë financiare që e çoi pranë falimentimit.

Ishte pikërisht në atë moment kur figura të njohura shqiptare të futbollit botërorë si Xherdan Shaqiri dhe Lorik Cana u përfshinë në një kampanjë me moton “Ecolog, Thuaj PO”, për të bindur kompaninë e fuqishme Ecolog International që të marrë drejtimin e klubit. Kampanja u kurorëzua me sukses.

Ecolog, e udhëhequr nga biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani, mori në dorë Shkëndijën, e stabilizoi financiarisht dhe e ktheu në një klub konkurrues në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Në analizën e tyre, mediat rumune kanë bërë edhe një krahasim interesant mes pronarit të FCSB-së, Gigi Becali, dhe atij të Shkëndijës, Lazim Destani.

Pasuria e Destani vlerësohet në rreth 5 miliardë euro, një shumë dukshëm më e madhe se pasuria e Becalit, e cila llogaritet në rreth 1.2 miliardë euro.