Është krejtësisht e papranueshme që me paratë e popullit të financohen studime që
përfundojnë në degë krejt të papërputhshme me teologjinë islame. Imagjinoni një shkollë
të mesme profesionale për elektricistë, e cila përgatit nxënës që më pas regjistrohen për
kardiokirurgë! Apo një shkollë për IT, që përfundon duke dërguar studentë në fakultetin e
gjeodezisë
Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog
Në një kohë kur vendi përballet me sfida reale në sferën e arsimit, etikës dhe udhëheqjes,
papritmas shfaqet në opinion një zhurmë artificiale mbi një të ashtuquajtur “zgjidhje të problemit
të Medresesë pas 40 viteve”. Kjo është një shpikje, një rrenë e kulluar, një iluzion që nuk ka
lidhje me realitetin dhe që më shumë flet për paaftësinë e drejtuesve aktualë të Bashkësisë Fetare
Islame sesa për ndonjë krizë të vërtetë në këtë institucion të respektuar. Medreseja “Isa Beu”
funksionon pa ndërprerje që nga viti 1984 dhe është themeluar në përputhje të plotë me Ligjin
për bashkësitë fetare dhe grupet religjioze. Ajo ka qenë dhe mbetet shkollë e mesme
profesionale, e cila përgatit kuadro fetarë për nevojat e komunitetit mysliman në vend. Që nga
themelimi i saj, nxënësit e kësaj shkolle kanë pasur qasje në arsimin e lartë dhe shumë prej tyre
kanë ndjekur me sukses fakultete të ndryshme. Atëherë, cili është problemi që po kërkohet të
zgjidhet pas “katër dekadash”?
E vërteta është se ky “problem” u krijua artificialisht katër vite më parë, kur në krye të BFI-së u
instalua një figurë pa vizion, pa strategji dhe pa autoritet, siç është Shaqir Fetai. Që nga ajo kohë,
në mungesë të një plani për zhvillimin e arsimit teologjik dhe forcimin e rolit të institucioneve
fetare, është zgjedhur rruga më e lehtë: të shpiket një krizë dhe mbi të të ndërtohet një
propagandë që synon të fshehë dështimin drejtues. Fatkeqësisht, disa pseudo-gazetarë dhe
politikanë pa karrierë e kanë përqafuar këtë diskurs, duke e shitur si “reformë” atë që në fakt
është rrënim.
Të thuash se Medreseja duhet “akredituar” tani, pas 40 vitesh funksionimi, është jo vetëm
qesharake, por edhe fyese për gjithë ata që e kanë ndërtuar, drejtuar dhe diplomuar nga ky
institucion. Askush deri më sot nuk ka ndaluar medresantët të ndjekin studime të mëtejshme, dhe
shumë prej tyre janë sot figura të respektuara në çdo sferë të jetës. Por kjo nuk është arsye për të
rrëzuar funksionin esencial të kësaj shkolle, që është prodhimi i kuadrove teologjikë të arsimuar
për nevojat e Bashkësisë Fetare Islame. Ky ka qenë gjithmonë misioni i saj, dhe për këtë qëllim,
populli mysliman kontribuon me fitra, zeqat dhe donacione.
Është krejtësisht e papranueshme që me paratë e popullit të financohen studime që përfundojnë
në degë krejt të papërputhshme me teologjinë islame. Imagjinoni një shkollë të mesme
profesionale për elektricistë, e cila përgatit nxënës që më pas regjistrohen për kardiokirurgë! Apo
një shkollë për IT, që përfundon duke dërguar studentë në fakultetin e gjeodezisë. Kjo nuk është
vetëm absurd logjik, por edhe abuzim financiar dhe moral. E njëjta gjë ndodh kur medresantët, të
financuar nga taksat fetare, katapultohen në drejtësi, ekonomi apo shkenca politike. Nuk është
çështje dëshire personale, por çështje përgjegjësie dhe ndershmërie ndaj komunitetit që ka
investuar në ta për një qëllim të caktuar.
Në këtë drejtim, çdo lejim apo nxitje që medresantët të largohen nga misioni i tyre fillestar për të
ndjekur karriera të tjera përbën devijim të rëndë të qëllimit të Medresesë dhe të vetë misionit të
BFI-së. Kjo është zhvatje e organizuar e besimit dhe e mjeteve të popullit, e cila duhet jo vetëm
ndalur, por edhe ndëshkuar me forcën e ligjit dhe të opinionit publik. Askush nuk është kundër
dëshirave dhe ambicieve arsimore të të rinjve, por këto duhet të ndjekin rrugë të qarta, të
ndershme dhe të vetëfinancuara. Kush dëshiron të bëhet jurist, ekonomist apo mjek, le ta ndjekë
këtë rrugë që nga fillimi, me mjete vetjake, pa e përdorur Medresenë si trampolinë dhe pa e
shfrytëzuar buxhetin fetar si bursë të lirë për interesa personale.
Në fund të ditës, populli e ka kuptuar se nuk ka asnjë “problem 40-vjeçar” me Medresenë.
Problemi ka emër dhe mbiemër, dhe ai qëndron në drejtimin pa busull të Bashkësisë Fetare
Islame. Medreseja nuk ka nevojë për “shpikje zgjidhjesh”, por për kthim te misioni i saj i qartë:
përgatitje e teologëve të përkushtuar, që i shërbejnë besimit dhe komunitetit me dije, devotshmëri
dhe përgjegjësi. Kushdo që nuk e ndjek këtë rrugë, nuk e ka vendin aty – dhe askush nuk duhet ta
përdorë më këtë institucion të shenjtë për plane politike, përçarëse apo për interesa personale.
Mjaft më me abuzime, mjaft më me maska reformash e me zhvatje të paskrupullta. Është koha
për llogaridhënie dhe kthim në vlerat e vërteta.
Medreseja nuk ka nevojë për numër të madh nxënësish, për shtim e rritje të numrit të nxënësve,
nuk ka nevojë për sasi marramendëse. Medreseja ka nevojë për të rinjë të përkushtuar për të
vazhduar studimet e larta teologjike. Medreseja ka nevojë që një ditë të mburret me kuadrin që e
ka nxjerrë në fushën e teologjisë dhe jo të mburret me numrin e medresantëve policë,
administratorë, gazetarë etj. Sepse ky nuk është misioni i kësaj shkolle të mesme profesionale.
Problemi aktual i Medresesë është mirëmenaxhimi i saj bazuar në strategji të qarta dhe të pastra.
“Problemi 40 vjeçar” është vetëm i atyre që përpiqen të ,mburren si “zgjidhës të problemeve” më
parë inegzistente e sot prezente. Dhe, ky problem në fakt na shfaqet si “derë e hapur” për të ikur
nga feja. Këtë mision djallëzor askush nuk po e sheh për momentin, të gjithë po e shesin si
“sukses kombëtar” e që, në fakt, më tepër është strategji e mirëplanifikuar rrënuese se sa si
zgjidhje!